Mungesa e një tregu të mirëfilltë të punës, mundësitë e pakta për karrierë, dilemat në zgjedhjen e një drejtimi në universitet janë vetëm disa prej shqetësime të të rinjve në vend.
Shqetësime si këto e preokupime edhe më madhore, qe një kohë, nxënës të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë i diskutojnë në orët jashtë mësimore.
Brenda një klase ku ka mendime të ndryshme rreth çështjeve të ndryshme, profesori Kushtrim Bekteshi thotë se po synohet që nxënësve t’u krijohet shprehia e mendimit kritik.
Profesori i lëndës së Sociologjisë shton se grumbullimi i gjimnazistëve në një klasë ku diskutohen tema të ndryshme, i liron edhe ata prej ngurrimit që zakonisht e kanë në orë mësimore.
Bankat, në të cilat diskutohet me orë të tëra ai thotë se janë të lira për çdo nxënës që ka nevojë të rrëfehet.
Krijimin e këtij grupi jashtë kurrikulës mësimore gjimnazistët prishtinas e vlerësojnë lart.
Elta Bajrami, 18 vjeçe, thotë se ky grup i ka ndihmuar asaj në krijimin e identitetit të saj dhe mendimeve për çështje të ndryshme pa u ndikuar nga shoqëria.
“Hapësirë të sigurt’’ e quajnë grupin edhe nxënëse të tjera pjesëmarrëse në diskutim.
Mundësia për të folur pa u paragjykuar, si dhe temat për të cilat këtu diskutohet, janë ato që grupin e bëjnë edhe më interesant dhe të rëndësishëm për ta.
Profesori Bekteshi tregon se eksperienca e marrë këtu për shumë nxënës është më e vlefshme sesa ajo në mësimin e rregullt.
Kjo për shkak të sistemit të ngurtë arsimor, i cili nuk u jep shumë liri në të shprehur nxënësve kosovarë.
Grupi i diskutimit në gjimnazin “Sami Frashëri” mbahet çdo të mërkurë, pas orëve mësimore.