SOT

Zerina, vajza që mban qenin deltar ilir

Bardhoshi e Trimoshi janë deltarë ilirë dhe plot fuqi. Kanë karakter të padjallëzuar, të ashpër kur e kërkon nevoja, por jo agresivë.

Si racë autoktone në histori njihet si ruajtës i bagëtive, në veçanti i deleve. Në shikim të parë të lërë përshtypjen e një qeni trupmadh, të fuqishëm, raporton KOHA.

Megjithatë, janë besnikë ndaj pronarit, të dashur dhe tolerantë ndaj fëmijëve dhe racave të vogla. Familja Kajtazi nga Komuna e Pejës tash e 30 vjet e kultivon këtë lloj race.

Kjo racë sikurse shume raca të tjera ka standardin e vet që është i shkruar nga kinologë të Kosovës. Standardi në vete përcakton parametrat truporë të qenit. E ndonëse zakonisht janë djemtë që kujdesen për ta, në familjen Kajtazi dashuri për kafshët ka vajza, Zerina.

Dentiste me profesion, por me shumë njohuri rreth kultivimit të tyre. Stina e dimrit është koha kur ata mbarësohen.

Përveç kënaqësisë që të japin këta qen, sipas saj, ata janë edhe trashëgimi kombëtare.

Përkujdesja e tyre e përditshme nuk është e lehtë. Kajtazi thotë se edhe pesha e bën të veten.

Me Bardhoshin e Trimoshin ajo del pothuajse çdo ditë për ecje. Disa nga shtigjet të cilat i preferojnë nuk janë larg kafazeve ku i mbajnë.

Federata Kinologjike tash e 30 vjet është duke punuar në atë drejtim që raca e Deltarit Ilir të pranohet dhe certifikohet në FCI.

Tash e disa vjet bëhen matjet në terren të kësaj race, regjistrohen në librin amë, kontrollohet mbarështimi dhe ecuria e mëtutjeshme me qëllim që raca të ruhet nga devijimi dhe të mbetet e paprekur.