Saraçi Fehmi Vjesa ka mbi 60 vjet që e ushqen me dashuri zanatin e trashëguar. Ndër vite ka fituar klientë besnikë, por adhuruesit më të mëdhenj të krijimeve të tij janë nipi Duani e mbesa Mara.
Admiruesit e vegjël sillen rreth këmbëve të gjyshit e mundohen të kopjojnë veprimet e tij sa herë që ai vjen nga Gjakova, për në punëtorinë e dytë, në Prishtinë.
Tashmë ka filluar t’ua mësojë edhe ca lëvizje. “Edhe vetë kam qenë sa Duani kur fillova të interesohesha për këtë zanat”, thotë ai.
Shalë për kalërim, veshje për kuaj e këpucë prej gome ishin gjërat që dikur kërkoheshin më së shumti, kurse tani rripat, kuletat e aksesorët e lëkurës janë ato që krijon saraçi i vjetër.
Rrugëtimin ndër vite më së miri e shfaqin duart e 73-vjeçarit, i cili i qëndroi besnik zanatit me të cilën mbajti familjen.
Pavarësisht moshës që ka, thotë se punon edhe me më shumë pasion për shkak se afër ka nipin e mbesën.
“Maraku i zanatit më shfaq edhe ëndrra natën. Nuk mund të pi as kafen e mëngjesit pa i marrë erë lëkurës”, thotë Vejsa.
Vlerësimin e punës, sipas Vejsës, çdo herë e kanë bërë klientët. Madje ende kërkojnë produkte nga ai.
Çmimet e krijimeve nga zejtari kanë ndërruar ndër vite, andaj edhe thotë se kjo punë nuk vlerësohet si dikur.
Ndonëse mund të jetë e dhimbshme, ai thotë se zanatin nuk dëshiron ta trashëgojë te nipat e mbesat, por mjaftohet me njohuritë e tyre për punën e familjes. Ai dëshiron që punëtoritë në Gjakovë e Prishtinë të shërbejnë si mini- muze.
Ditën e përfundon ashtu siç e nis me shumë dashuri, për nipat dhe punën e tij.