“Ju e imagjinoni unë e ndërtoj” shkruhet në mbishkrimin e vendosur në portën e punëtorisë së Habib Cenës. Kjo është punëtoria e vetme që merret me përpunimin e hekurit në pjesën që në kryeqytet njihet si lagjja “ Te kovaçët”. Ai është në gjendje të bëjë çdo gjë me pasion e përkushtim. Këtë zanat thotë se e ka trashëguar nga babai i tij, i cili ishte një saldues profesionist.
Tregon se prej shkollës fillore menjëherë pas përfundimit të mësimit ka shkuar në punëtorinë e babait që t’i ndihmojë.
Deri para tetë vjetësh ai këtë punë e ka kryer bashkë me vëllezërit e tij në Rahovec. Mirëpo, tani profesionin prej salduesi po e ushtron në Prishtinë pasi që, sipas tij, biznesi në kryeqytet ka më shumë përfitim.
Ai është adhurues i së moçmes, e prandaj synon t’i reprodukojë ato.
Cena ka treguar për të mirat që i vijnë nga ky profesion, por edhe vështirësitë, raporton KOHA.
Në këtë lagje dy lokale më poshtë gjendet punëtoria e llamarinë-punuesit, Avdullah Berisha, i cili këtë profesion e ushtron tash e 54 vjet.
Të martën kishte vendosur që të punonte një rrotulluese oxhaku. Këto, sipas tij, janë më të kërkuarat prej klientëve.
Ai thotë se me këtë profesion e mban familjen, por, sigurisht që në këtë punë i ka angazhuar edhe dy djemtë e tij.
Berisha dhe të tjerët kërkojnë më shumë përkrahje nga shteti për të vazhduar veprimtarinë.
10 qershori është dita e zejtarëve, e cila njihet edhe si dita e punimeve artizanale. Punimet artizanale janë një vlerë historike e cila është përshtatur në të gjitha kohërat si ato të hershme dhe atyre moderne. “SouvenirShop” është një ndër dyqanet e pakta në kryeqytet që i mban këto vlera për klientët. Këto punime shfaqen në piktura, skulptura, veshje tradicionale, gdhendje në dru e shumëçka tjetër.