SOT

“Xhamadani vija-vija” – e kënduar nga Ornela Mehana

Zëri i 12-vjeçares Ornela Mehana nga Vushtrria është unik. 

Për nder të festës së 28 Nëntorit e te kalaja e qytetit, ajo këndon versionin e saj të këngës së njohur “Xhamadani vija-vija”.  

Kjo këngë njëherësh është edhe koveri i parë i Mehanës, i cili u publikua pikërisht për Ditën e Flamurit.

“Koveri i parë që e kam realizuar është xhamadani vija-vija, për nder të festet së 28 Nëntorit. Ndihem e lumtur që është dëgjuar shumë në Kosovë dhe rajon, i falënderoj të gjithë për përkrahjen. Gjithmonë i kam argëtuar familjen e shoqërinë dhe me startua me kover ka qenë e papritur. Ndihem shumë e lumtur që njerëzve u ka pëlqyer shumë performimi im, gjithashtu ndihem shumë e lumtur që koveri i parë i është kushtuar kombit tonë shqiptar”, thotë Mehana. 

Ornela ka një dashuri të veçantë për muzikën popullore. 

“Urime festa e 28 Nëntorit, ua uroj ketë festë të gjithëve shqiptarëve kudo që janë. Mua më pëlqen kënga “Xhamadani vija-vija”, sepse i kushtohet kombit tim Shqipërisë e Kosovës, po ashtu më pëlqen edhe “Mora fjalë”.  Unë do të këndoj në zhanre të ndryshme si klasike e popullore e  të tjera”, tregon ajo.

Është vetëm 12 vjeçe dhe aktualisht ndjek mësimet në klasën e 7-të në shkollën fillore “Hajrullah Shala”. Po ashtu  ndjek edhe mësimet në shkollën e muzikës e prej pesë vjetësh luan në piano. 

Përkushtimi dhe pasioni i saj për muzikën ishin zbuluar qysh në fëmijëri, ndërsa këndimin e ka trashëguar nga nëna e saj, e cila kishte kënduar këngë popullore. 

“Jam në klasën e 7-të në shkollën fillore “Hajrullah Shala”. Përveç shkollës obligative, vijoj mësimet edhe në shkollën e muzikës, ku tash e 5 vjet luaj me instrumentin e pianos. Të merrem me muzikë kam filluar qysh e vogël, talentin tim e ka zbuluar familja ime, veçanërisht mami im. Kam qenë gjithmonë e soportuar nga familja, sepse për fat të mirë motra ime është fagotiste në Operën e Kosovës. E falënderoj shumë për mbështetjen që ma bën”, thotë ajo. 

Qyteti i Vushtrrisë ka një traditë të pasur kulturore. Nga ky qytet vijnë shumë emra të njohur të skenës muzikore shqiptare dhe Ornela duket se po e ndjek këtë rrugë me shumë pasion e përkushtim.