FOX F1 është lloji i pjeprit, i cili tash e 10 vjet kultivohet nga familja Morina në Xërxë të Rahovecit.
Sipas fermerit Lendrit Morina, katër hektarët e mbjellë me këtë frutë sjellin rreth 200 tonë pjepra brenda vitit.
E arsyeja pse punën e tyre me kultivime e kanë përqendruar në këto dy pemë ka të bëjë me vlerat ushqyese dhe me të mirat që vijnë nga to.
Përveç Morinës, efektin pozitiv të pjeprit e konfirmojnë edhe shumë hulumtime shkencore.
Ndikon në qarkullimin e zemrës, të gjakut, shton energjinë e edhe përmirëson strukturën e lëkurës.
Temperatura e lartë, 55 gradë, e bën më të vështirë qëndrimin në serrë, andaj puna brenda zhvillohet vetëm në orët e hershme të mëngjesit e ato të vonshme të mbrëmjes.
Duhet një përkushtim i shtuar kur vjen puna tek kultivimi i pemëve e sidomos tek ato sezonale. E për këtë familja Morina është përkujdesur të përdorë metodat më të përshtatshme.
Kushtet që i kërkon pjepri për kultivim po ashtu janë të rëndësishme, sepse, sipas fermerit, është frutë e ndjeshme.
Sipas Morinës, meqenëse çmimet janë të arsyeshme e nevoja për to është e lartë në këto periudha, rezultatet nga shitja janë të kënaqshme.
E përveç pjeprit, edhe shalqiri hyn në rangun e kultivimeve nga familja Morina.
Ka rreth 7 vjet që dy hektarë të tokës së tyre i kanë të ndarë për mbjelljen e frutës së verës.
Sipas 25-vjeçarit, edhe shalqiri kërkon punë e përkushtim me muaj deri në fazën finale të vjeljes.
E përbashkëta e pjeprit dhe e shalqirit sipas Morinës, është përbërja e lartë e ujit tek to, por jo vetëm.
Ai numëron edhe llojet e vitaminave që mund t’i gjejmë në të.
E kur bëhet një krahasim mes frutave sa i përket përfitimit, fermeri thotë se pjepri ka një përparësi për shkak të çmimit më të lirë në treg.
Hidratimi është i nevojshëm këto ditë të nxehta vere, andaj përdorimi sa më i madh i pemëve me përqindje të lartë të ujit ndikon që kjo të arrihet.