SOT

Vikendet e aventurat në kampshtëpizën e bardhë

Pothuajse çdo vikend, kampshtëpiza e bardhë kthehet në shtëpinë e dytë të familjes Brestovci. Këtë radhë ata zgjodhën të bëjnë disa kilometra nga Gjilani në drejtim të Makreshit.

Një hapësirë ku dominonin gjethet shumëngjyrëshe që të bënte të ndjeje aromën e vjeshtës, bashkë me hijet e larta të pemëve ku herë pas herë mbizotëronin edhe rrezet e diellit, ishin lokacioni i kësaj fundjave.

5 anëtarët e kësaj familjeje, me qejf hapin derën e “kamperit”/ rimorkios e adaptohen me ambientin e ri. Njëri vendos karrigen, dy të tjerë fillojnë lojën çapkëne, dikush merret me më të voglin e madje ka kohë edhe për përgatitje të kafesë.

Dëshira për blerjen e këtij mjeti ishte e kamotshme, thotë pronari Gëzim Brestovci. Kujtimet më të mira në fëmijëri pohon t’i ketë nga udhëtimet me prindërit në një kampshtëpizë të ngjashme.

Sipas Brestovcit nostalgjinë për rimorkion e dikurshme po e heq me momentet e lumtura të Hanës, Zogut dhe Malit.

Ndonëse ka vetëm dy vjet që e kanë blerë ai thotë se po investojnë ende në pjesën e brendshme të tij.

Pavarësisht rrezikut, ata vendosën që ta bëjnë edhe një udhëtim më të gjatë, jashtë Kosovës. Si destinacion zgjodhën Ulqinin.

Dashuria e madhe për të pasur një kampshtëpizë u ushqye edhe nga bashkëshortja, Arnisa.

Edhe pse në metra katrorë është më e vogël, ajo thotë se qëndrimi në shtëpinë e tyre të dytë është mjaft komod.

Brenda shtëpisë me rrota ka vend për të fjetur, gatuar, ushqyer e madje edhe për detyrat e shtëpisë. Megjithatë janë edhe disa gjëra që i mungojnë.

Sipas Arnisës, loja e Hanës dhe Zogut në ambient të hapur është tejet më e mirë. E ajo, rolin e mëmësisë po e përjeton me zërin e tyre në kombinim me zhurmën e erës.

Po bëhen një me natyrën, e bashkë po ndërtojnë diçka me drunj. Pa humbur asnjë minutë nga loja, me fjalë pak, por me një energji të madhe, 8-vjeçarja Hana na tregon se çfarë po bëjnë.

Kurse vëllai Zogu vendosi të ndajë një kujtim nga udhëtimet e realizuara.

Me një përshëndetje të ëmbël u futën brenda për të planifikuar udhëtimet e aventurat e ardhshme.