U takua me stafin e u tregoi lojën që e ka përzgjedhur për sot.
E pas kësaj, ai zë një vend afër shokëve.
Ky është ambienti ku Erblin Totaj shpesh i kalon pasditet me shoqëri.
17-vjeçari rrëfen se në qendrën e videolojërave “Noari” ka filluar të vijë tash e disa muaj.
Vizitat e tij këtu janë zakonisht dy herë në javë e, sipas tij, të qenit bashkë me shoqëri ia rrit entuziazmin.
Totaj na e shpjegon edhe lojën e tij të preferuar, ndër të shumtat që janë në shërbim të lojtarëve.
Nuk është vetëm argëtimi e vetmja gjë që lojtarët marrin në këmbim të qëndrimit aty.
Totaj thotë se edhe garat e fitorja janë synim i tij.
Të rinjtë janë frekuentuesit më të mëdhenj të qendrave të tilla.
Menaxheri i “Game Center Noari”, Leunor Hoda, thotë se interesimi i të rinjve varion që nga fëmijët e shkollave fillore e tutje.
E meqë videolojërat me shoqëri ndikojnë në rritjen e adrenalinës, pa dyshim që edhe orët aty shkojnë shpejt, e ndonjëherë edhe ditët.
Janë disa lojëra të cilat i rendit menaxheri, e ai flet edhe për trendët të cilët përgjithësisht në koncept e kanë luftimin.
Garat janë ato për të cilat shumica e lojtarëve luajnë, sepse, sipas Hodës, edhe shpërblimet janë të majme.
Ndonëse videolojërat ndikojnë në largimin e stresit, preferohet që koha për to të jetë e limituar.
Qendrat e tilla në të cilat luhen videolojëra janë të shumta, sepse trendët e tillë kanë filluar të shndërrohen edhe në biznes.
Ndërkohë që jemi ende në kohë pandemie, menaxheri rrëfen se për disa muaj nuk kanë funksionuar fare e tash me orar të kufizuar.