SOT

Veshje të veçanta për raste festash

Fijet e arit dhe detajet me lule janë ato që i karakterizojnë këto veshje tashmë tradicionale. Përveç jelekëve të shkurtër e fustaneve të gjatë në listën e këtyre veshjeve, tipike janë edhe dallamat të cilat në Kosovë dallohen nga krahina në krahinë. E njëri nga vendet që ruan kulturën tradicionale është Prizreni.

Pikërisht në këtë zonë, traditën shumëvjeçare të qepjes së dallamave po e vazhdon Arjeta Krasniqi.

Ndërthurja e tradicionales me modernen, është ajo që e bën të veçantë shtëpinë e modës “Arjeta”.

Për krijimin e dallamave me ngjyra të ndryshme, sipas Krasniqit nevojitet një kohë mjaft e gjatë. Të gjitha janë të dizajnuara nga vetë ajo, por çdo herë duke iu përshtatur kërkesave të klientëve.

Shumë mund e punë kërkohet edhe për krijimin e jelekëve të shkurtër, të cilët po kombinohen në mënyra të ndryshme e po bëhen trend në vend. Interesim për blerjen e tyre, përveç sezonit të dasmave ka edhe në prag të festave, veçanërisht të 28 Nëntorit.

Në të njëjtën kohë, fustanet e gjatë e të shkurtër me apo pa mëngë të fryra, të bardhë e të zi janë pjesë e rëndësishme e kombinimit të veshjes.