Në një sallë të rregulluar mirë, dy vëllezërit nga Prizreni, Yner e Ynem Berisha, po i ushtronin vajzat e klubit basketbollistik “Bashkimi”, në një prej ditëve të javës që shkoi.
Që të dy janë trajnerë kondicioni dhe në sallë posedojnë pajisjet e duhura për t’i ushtruar sportistët e sporteve të ndryshme.
Përgatitja e mirë fizike është e domosdoshme për një sportist, thotë trajneri Yner, i cili tregon se punën e nisën gjatë pandemisë.
Duke i parë përparësitë që i ka të pasurit një fizik të mirë, sportistët kanë shtuar interesimin për këtë lloj stërvitjesh.
Trajneri Berisha thotë se sa stërvitjet, aq rëndësi ka edhe mënyra e të ushqyerit e organizimi i sportistit në përditshmëri.
Synimet që i kishte që në moshë të hershme për basketbollin tash e 6 vjet po i realizon Yllza Uka.
Ajo është lojtare e klubit “Bashkimi” nga Prizreni, e që stërvitjet për kondicion fizik, të rregullta i ka 4 herë në javë.
Vëllezërit nga Prizreni përveç punës grupore me sportistët, ushtrojnë edhe individualisht, teksa theksojnë se ushtrimet e fitnesit janë ato që dominojnë në preferencat e moshave të ndryshme.