SOT

Vaksinohen shumë nxënës të shkollave të mesme

Në shkollë janë kthyer si zakonisht, por disa veprime tash po i bëjnë më shpesh.

Dezinfektuesit në korridore, e mbajtja e maskës gjatë orës janë të obligueshme për nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

Nxënësit që i kanë 16 vjet e më shumë, mund edhe të vaksinohen, e disa veçse e kanë bërë.

Edmond Syla, nxënës i klasës së 12-të, tregon se ka një muaj që është vaksinuar me dozën e parë të vaksinës Pfizer.

Njësoj si shoku i klasës, edhe Idila Binaku, është tashmë e vaksinuar me dozën e parë. Ajo fton edhe shokët e shkollës të veprojnë njëjtë, sepse vlerëson se kjo është mënyra më e mirë e mbrojtjes.

Tutje 17-vjeçarja thotë se kthimi në ambientet shkollore ua lehtëson më shumë mësimin.

Maturantja Amira Egollaj thotë se kartonin e vaksinimit e mban me vete edhe në shkollë.

Egollaj thotë se përveç vaksinimit, e rëndësishme është edhe mbajtja e maskave e dezinfektimi para se të hyjnë në shkollë.

Që mbrojtja të sigurohet, të gjithë duhet të kontribuojnë.

Sipas profesoreshës Hatmane Demiri, edhe vaksinimi i stafit arsimor është me rëndësi, e kjo për personelin e gjimnazit “Ahmet Gashi”, është obligative.

E sa u përket nxënësve, Demiri thotë se fatmirësisht edhe ata janë vetëdijesuar e po e dinë rëndësinë e vaksinimit.

Vaksinimi i nxënësve po bëhet gradualisht, e drejtori Haxhi Metaj, thotë se edhe të dhënat për këta nxënës janë duke u mbledhur.

Vaksinimi i fëmijëve ka filluar më vonë, e si i tillë ka ngjallur dyshime për efektet anësore.

Doktoreshë Rufadie Maçastena- Maxhuni në një prononcim për emisionin “Sot”, thotë se sëmundja Sars Cov2 ashtu siç prek të rriturit, mund t’i infektojë edhe fëmijët.

“Efektet post-vaksinim janë simptoma të ngjashme me gripin po më të lehta. Dhimbje e vendit të injektimit dhe gjatë lëvizjes së krahut, temperaturë e cila kalon me marrjen e antipiretikëve, dhimbje koke, lodhje dhe simptomat kur mund të shkaktohet ndonjë reaksion alergjik, i cili varësisht nga intensiteti duhet edhe të menaxhohet, por që janë shumë të rralla.

Kështu që bëj thirrje që edhe fëmijët mbi 16 vjeç të vaksinohen patjetër, si dhe fëmijët me sëmundje kronike siç e parasheh mjeku përcjellës. Unë jam vaksinuar vaksinohuni edhe ju”.

Shenjat në korridore, dezinfektuesit e distanca nëpër klasa, janë masat që drejtoria i ka ndërmarrë e që, sipas saj në këtë mënyrë po synojnë të parandalojnë përhapjen e këtij virusi dhe varianteve të tij.