SOT

Vajza që shet pallaqinka, lufton sëmundjen dhe tabutë në Kaçanik

Buzë lumenjve të Nerodimes e Lepencit në Kaçanik gjendet kioska e vogël ku për çdo ditë mund të shërbeheni me produkte të ëmbla e të shijshme të përgatitura nga duart e Drilona Lokut.

Për Drilonën, angazhimi këtu e ka ndihmuar atë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore e emocionale.

“Përditshmëria ime është në këtë kioskë, i përgatis krepat me keksa të bluar. E pëlqej gatimin e ushqimet në përgjithësi, e kam hobi, kështu vendosa të bëj diçka timen dhe tani janë bërë 3 muaj që nga hapja. Ka qenë biznes i mirë, por pak fitimprurës”, thotë ajo.

Për 30-vjeçaren ky është viti i parë që ka filluar këtë punë, përderisa tregon se për bashkëvendësit e saj është munduar të ketë çmimet më të ulëta në treg.

“Krepat i bëj me produkte të ndryshme, ne jemi qytet i vogël, prandaj i kam ulë çmimet, e kam pa punën e njëjtë nëpër qytete të tjera, por unë kam bërë tolerim, meqenëse vendi është i vogël dhe papunësi më e madhe sesa në vende të tjera”, shton ajo.

Sipas Drilonës, Kaçaniku si vend i vogël duhet të mbështesë më shumë gratë në profesionet që duan të punojnë. Gratë nuk e kanë vendin vetëm në punë të shtëpisë.

“Në fillim kur më kanë pa njerëzit më kanë pyet se a mundem unë ta bëj këtë punë, a jam e aftë me ia dal vetë, unë jam shumë luftëtare dhe dua të luftoj për gjithçka dhe gjithmonë ia kam dal, por edhe më kanë pyetur për çmime. Në Kaçanik gratë i mendojnë më ndryshe, por unë dua ta ndryshoj këtë qasje”, thotë Drilona.

Me laramani recetash nga duart e saj, Drilona mezi pret sezonin e verës që të gjitha ato të shijohen edhe nga mërgimtarët.

“Unë bëj krepa, waffle, pomfrit, limonadë, petulla çasti, këto të gjitha i përgatis me përbërës të ndryshëm, kërkesa e qytetarëve të mi është primare për mua. Tash vera po vjen falë Zotit, njëkohësisht po vijnë edhe mërgimtarët, ata janë hijeshia e Kaçanikut dhe presim të na shtohet puna, por edhe t’i shijojnë produktet e mia”, tregon ajo.

Për përgatitjen e gjithë përbërësve ndihmë të madhe i ofron edhe e ëma e saj, pa të cilën thotë se nuk do mund t’ia dilte.

“Nënën e kam gjithçka, ajo është mbështetja më e madhe dhe e dua shumë. Unë i them se dua ta bëj një gjë, ajo më thotë veç a mundesh dhe unë i them se nëse ti je afër meje dhe më mbështet unë e arrij dhe e realizoj patjetër”, shton ajo.

Drilona është shembull i një gruaje të fortë, e cila pasi që luftoi një sëmundje të rëndë vendosi që të krijojë të ardhura për veten. Forcën e mbajti edhe për të luftuar paragjykimet për punën që bën. Ajo sot kërkon që të gjitha vajzat të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos ndalen nga fjalët.

“E kaluara ime është pak e trishtë, e kam pas një sëmundje të rëndë që e kam luftuar dhe tani jam mirë, kjo ka qenë arsyeja për të luftuar, për të punuar e mos të qëndroj në shtëpi sepse të gjitha sëmundjet janë sfidë për ne. Dua t’i jap mesazh të gjitha femrave që të luftojnë për vete, arsyeja që e kam luftuar sëmundjen ka qenë puna dhe familja, që mos të kem ngarkesë psikologjike kam filluar punën dhe më ka ndihmuar shumë. Jam shumë e lumtur që e bëj këtë punë dhe ju pres gjithë juve të vini dhe shijoni produktet që i bëj unë”, shton në fund Drilona.