Ka disa muaj që ka lënë punën në bankë për t’u marrë me biznesin që e nisi 3 vjet më parë.
Fillimisht broshet, kurorat, mindilat e vathët me shkëlqim i krijonte në ambientin e shtëpisë, por tash krejt punën e bën në një hapësirë jo shumë të madhe, në lokalin e hapur rishtazi në Prishtinë.
Aulona thotë se vendi që i përket është pranë punimeve të saj, andaj zgjedhja e kësaj etape të re profesionale nuk ka qenë shumë e vështirë.
Trend i këtij viti janë kurorat me gurë të shndritshëm e perla, të cilat i krijon edhe 27-vjeçarja.
Sipas saj, këto janë produktet më të kërkuara nga vajzat në prag të martesës.
E që mes vete dallojnë të gjitha, përveç nga forma edhe nga koha deri në përfundim.
Por ka edhe diçka që nuk ikën nga përdorimi, thotë Brahimi. Këto janë mindilët me ngjyra e materiale të ndryshme.
Pjesë e punëdoreve të Aulonës janë edhe broshët e fustaneve.
Punimet autentike të saj pëlqehen nga masa, por ka edhe prej atyre që detajet i zgjedhin personalisht. Ajo thekson që ka fituar klientë prej të gjitha krahinave shqiptare e më së shumti nga Tetova.
Porositë, Aulona i pranon nga rrjetet sociale ku edhe i ekspozon të gjitha ato që i punon.