Me telefonin e saj të tipit iPhone 7 po e bënë një fotografi e cila në pamje të parë duket e thjeshtë.
E qeni i cili kaloi rastësisht është në fokusin e telefonit të 27-vjeçares, Iliriana Lahu.
Pasioni për fotografinë i lindi gjatë kohës së pandemisë, e sipas saj, ajo është edhe periudha kur vendosi që fotot t’i ndante edhe me njerëzit e tjerë në rrjete sociale.
Lahu shton se perëndimi i diellit është momenti i saj i preferuar të cilin shumë shpesh mundohet ta paraqesë në foto e video.
“Videot e para kam filluar me i postuar gjatë pandemisë. Pandemia nuk na e ka mundësuar që të dalim edhe aq shpesh në qytet për shkak të izolimit, e nuk kam mundur të kap edhe shumë momente. Kam pasur më pak foto, mirëpo ato fillova t’i postoj e ky edhe cilësohet si fillimi i këtij pasioni”, tha ajo.
Marrë parasysh që e filloi nga pasioni, Lahu tregon se njerëzit e pritën shumë mirë e sidomos edhe në aplikacionin Tik Tok i cili kohëve të fundit është tejet i qasshëm në mbarë botën.
“Fillimisht kur i kam postuar videot e para e kam pasur atë frikën që do të më gjykonin njerëzit, duke e marrë parasysh që komentet në Tik Tok dinë të mos jeni të mira mirëpo për fat të mirë njerëzve u kanë pëlqyer videot. Kemi shumë foto të mira, mua më pëlqejnë të gjitha po i kam disa që kanë shumë ngjyra, e fotot me model të tillë janë të preferuarat e mija”, u shpreh Lahu.
Përveç perëndimit, rrugët e kryeqytetit të kapura në momentet e duhura janë një tjetër kategori e fotografive e videove të saj.
Rrugët e Prishtinës janë më të postuarat në llogarinë e saj, mirëpo 27-vjeçarja i shfaq edhe vendet e tjera në të cilat sheh pamje që ia vlejnë.
“Nuk i kisha quajt shëtitje sepse unë dal për qejfi ose për punë, e çdo vend që shkoj e shfrytëzoj rastin me marr telefonin edhe me shfaq në video. Bëj edhe foto e video në vende të tjera, mundohem sa më shumë mirëpo shkaku që jam duke studiuar nuk kam pasur mundësi të dal edhe aq shumë, në qytete të tjera, edhe pse njerëzit më kanë kërkuar shumë me shku, mirëpo nuk kam pasur mundësi”, tha ajo.
Fotografët shpeshherë përdorin aparate profesionalë që kualiteti të jetë në nivel, mirëpo Lahu e arrin këtë përmes telefonit të saj.
“Nuk do e quaja veten fotografe, jam njeri i thjeshtë, qytetare e Prishtinës. Dal edhe bëj foto me telefon. Normal momentet e para kanë qenë më të vështira, kam dëshirë të luaj me ngjyrat që ka Prishtina, mirëpo nuk përdori shumë efekte që ta prish foton”, u shpreh ajo.
Shëtitja në Prishtinë i mundëson ta shohë kryeqytetin në një aspekt më ndryshe. Lahu thotë se ka vende të bukura mirëpo ka edhe hapësirë për përmirësime.
Prishtina jonë ka shumë vende të bukura, por normale kemi edhe nevojë për investime. Shpresoj që këto ditë ose këto vitet e ardhshme të bëhet akoma edhe më e bukur e të ketë edhe më shumë turistë”, deklaroi ajo.
27-vjeçarja thotë se ky pasion mund t’i kthehet në profesion varësisht se si njerëzit e vlerësojnë punën e saj.
“Të ardhmen shpresoj që njerëzit do t’i vlerësojnë sa më shumë videot e mija, edhe pse jo kam dëshirë me bo diçka më të madhe se këto që i postoj. Kemi shumë të rinjtë që kanë talente, edhe do t’i lusja të shfrytëzonin mundësinë, nuk është e thjeshtë por mund ta provoni pse jo, mund të dalë diçka e mirë”.
Përmes videove të postuara, Lahu ndihmon edhe shumë turistë të cilët nuk dinë se cilat janë vendet më të bukura të kryeqytetit e cilat janë vendet ku mund të marrin shërbime të ndryshme.
Publikimi i postimeve të tilla është bërë trend dhe jo vetëm në Kosovë. Kjo mënyrë si në rastin e Prishtinës bën promovim të vendit dhe atë më mirë se institucionet.