SOT

Urat e Prizrenit dhe trashëgimia e tyre

Në Prizren gjenden gjithsej 15 ura, ndërsa vetëm në qendër të qytetit janë 6 të tilla. Dy prej tyre janë nën mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Ura e Gurit, e ndërtuar në shekullin e XV mbi lumin Lumbardh, cilësohet si një nga simbolet më të njohura të qytetit. Kjo urë nuk ka lidhur vetëm dy pjesë të qytetit, por ka shërbyer gjithashtu si vendtakim për qytetarët. 

Me një strukturë prej guri dhe një hark elegant, ajo përfaqëson mjeshtërinë e arkitekturës osmane dhe është një pikë e rëndësishme lidhëse për qytetin. Pavarësisht dëmtimeve nga përmbytjet në vitin 1979, ajo u rindërtua dhe vazhdon të ruajë identitetin e saj historik.

Urat e Prizrenit janë më shumë sesa thjesht struktura arkitektonike; ato janë dëshmi të historisë dhe kulturës, dhe vazhdojnë të mbeten një atraksion për vizitorët dhe një lidhje e fortë mes së kaluarës dhe së tashmes.

“Këtu afër nesh është lumëbardhi, mbi të cilën i kem 15 ura, të cilat kanë histori në vete. Edhe pse nuk e gëzojnë fatin që të jenë në mbrojtje institucionale. Vetëm dy prej tyre janë në mbrojtje institucionale ndërsa 13 të tjera nuk e gëzojnë atë fat. Nën mbrojtje janë dy urat e gurit njëra është në grykën e lumëbardhit dhe ura e gurit në qendër të qytetit. Secila urë që gjendet në Prizren e ka historinë e vet. Duke filluar nja ura e ‘Naletit’, e cila ka pasur shumë ndryshime gjatë historisë, ura e ‘Arastes’ është njëra nga urat që ka qenë e vetmja në Kosovë që ka qenë e mbyllur dhe si çarshi është shfrytëzuar”, thotë Edin Gështenja nga organizata “Ec ma ndryshe”.

“Ura e gurit është ndërtuar në shekullin XV-XVI. Kjo urë është ndërtuar prej gurit dhe gëlqeres. Ka qëndruar 3-4 shekuj stojekisht. Në vitin 1979 pas vërshimeve të shumta që kishte në Lumbardhë, u dëmtua dhe u rrëzua ura. Në vitin 1980, enti për mbrojtjen e monumenteve mori menjëherë intervenime për të ndërtuar këtë urë. Vetëm në qendër të Prizrenit janë 6 Ura, ajo e Marashit, Ura e Lidhjes së Prizrenit, Ura e Arastes, Ura e Gurit që gjendet në qendër, Ura e Naletit etj”, shton ai.  

Gështenja thekson se qyteti kërkon mirëmbajtje nga vetë vizitorët.

“Jo vetëm Ura e Gurit, por edhe i gjithë Prizreni për të gjithë turistë është i hapur në 12 muaj të vitit. Prizreni e ka bukurinë e vet, mesazhi jonë për çdo turist kushdo që e viziton këtë vend, është që ta mirëmbajë Prizrenin”. 

Elmi Rafshi, i cili jeton prej vitesh në qendër të Prizrenit, thekson rëndësinë e trashëgimisë kulturore të qytetit. 

Ai tregon se çdo vizitor që qëndron në shtëpinë e tij, e ka mundësinë të njohë qendrën historike të qytetit, duke përfshirë Urat e Gurit, Kalanë e Prizrenit, Lidhjen e Prizrenit dhe asete të tjera të rëndësishme kulturore.

“Prizreni si qytet i vjetër, dallohet prej qyteteve të tjera, e sidomos për arkitekturën e vjetër që e posedon. Kjo është e arsyeja që shumë vizitor prej vendeve të ndryshme Kosovë dhe botë vijnë te ne për vizitë. Çdo vizitor që vjen Prizren e bën një foto te Ura e Gurit, sepse është e veçantë. Mysafirët që vinë te unë i dërgoj së pari te Ura e Gurit, Lidhja e Prizrenit, te Kalaja e të tjera. Edhe foto kem shumë te ura e gurit”, thekson Rafshi. 

Edmon Vila, një banor tjetër i Prizrenit, thekson se Ura e Gurit, si dhe urat e tjera të trashëgimisë kulturore, duhet të mirëmbahen jo vetëm nga institucionet, por edhe nga vetë vizitorët.

“Gjendemi pran urës së Gurit, krenarisë së Prizrenit, e cila është një pjesë e rëndësishme e Prizrenit. Sepse të gjithë vizitorët vijnë këtu dhe krenohen me këtë veprimtari, e cila është dertuar prej kohësh. I ftoj të gjithë banorët e Kosovës, e të cilët nuk kanë qenë ende këtu, të vijnë e ta vizitojnë Prizrenin”, thekson Vila.  

Prizreni ka gjithsej 212 asete të mbrojtura nga institucionet, përfshirë qendrën historike të qytetit.