SOT

Ulëset me prioritet në autobus dhe respektimi i tyre

Brenda autobusëve të “Trafikut Urban” ka të vendosura shenja që ndihmojnë udhëtarët të orientohen.

Ka edhe të tilla që tregojnë se janë për të moshuar.

Mehmet Fejzullahu është një nga udhëtarët e shpeshtë të autobusëve të “Trafikut Urban”, tregon se sa i respekton rregullat që janë të përcaktuara.

“Shumë shpesh udhëtoj më këtë autobus, gjithçka është në rregull, punojnë mirë. Nuk rri plaku në këmbë e i riu ulur këtu, gjithmonë e lirojnë”, tha ai.

Në radhën e udhëtarëve është edhe Rexhep Vokshi.

Ai flet për udhëtimet e tij të shpeshta me autobus duke vlerësuar se shenjat e vendosura në autobus i di mirë e i respekton.

“Me vende s’kemi probleme fare, i lirojnë edhe të rinjtë por këtu zakonisht pa pas vend nuk të lejojnë as me hy”, u shpreh ai.

Bashkim Nishlia e Ruhan Demolli janë dy udhëtarë të autobusit të linjës 3 në Prishtinë.

“Nuk ka asnjë problem, autobusët janë të mirë, të nxehtë, edhe maskën e mbajmë”, tha Nishlia.

“Me Trafik Urban udhëtojmë prej se janë, autobusët vijnë pak me vonës por s’kemi cka me bo, për masat e COVID-it është sic po kërkohet, me maskë e me krejt”, shtoi Demolli.

Mbajtja e masave kundër virusit po ua bën më të lehtë gjetjen e vendeve e, sipas tyre, bëhet edhe shmangia e grumbullimeve të njerëzve.

E kush më afër se punonjësit e “Trafikut Urban” e dinë raportin e qytetarëve me respektimin e rregullave.

Arbion Ajeti, punonjës i linjës 3 thotë se qytetarët janë të informuar me rregullat e autobusit e edhe respektimi i tyre në përgjithësi është në nivel.

Mirëpo ndalesat në stacion, sipas Ajetit, janë më problematiket, për shkak të kërkesave të qytetarëve për zbritje në vende të tjera.

“Është ai respekti që e kanë, ndaj të moshuarve, edhe pse ajo pjesë është për njerëzit e moshuar dhe me aftësi të kufizuar megjithatë qytetarët e tjerë e shfrytëzojnë kur është e lirë”, tha ai.

Transporti publik në Kosovë, sipas Nol Dedajt, ekspert i komunikacionit është primitiv.

Dedaj thotë se vetë udhëtarët i kanë krijuar rregullat e tyre kur e shfrytëzojnë transportin publik.

“Transporti Urban është primitiv derisa rregullat e transportit urban çdo qytetar i respekton, e vetë transportuesit nuk i respektojnë”, u shpreh ai.

Sezoni e dimrit është ndër më problematiket edhe për qarkullimin në komunikacion.

Sipas Dedajt, infrastruktura në Kosovë lë për të dëshiruar e njëkohësisht bën thirrje për kujdes.

“Për fat të keq kemi pesë të vdekur, fatkeqësia më e madhe është që drejtuesit e automjeteve duhet me iu përshtat patjetër shpejtësinë kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike.”

Ulëset me prioritet janë për të moshuarit, gratë shtatzëna e personat me aftësi të kufizuara.