SOT

Uglari, fshati i Gjilanit që krahasohet me fshatrat e Zvicrës

Familjet Halimi e Hyseni, Bilali, Limani, Ramushi, Zymberi, Gagica, Lalinca, Kapiti, Sijarina, dhe Berisha e përbëjnë fshatin Uglar të Gjilanit.

Këto familje fshatin e tyre e krahasojnë me fshatrat e Zvicrës, pasi që ai ndahet në mes nga lumi Morava e Binçës .

“Fshati ka tri zona, ajo fushore, malore dhe kodrinore, po ashtu lumi Morava e Binçës e ndan nëpërmjet fshatin që e bën fshatin që të jetë i ndërtuar në dy pjesë në atë lindore dhe pjesën perëndimore. Për këtë pozitë gjeostrategjike është cilësuar si ndër fshatrat e Zvicrës që kanë anën kodrinore malore dhe lumin”, thotë historiani Albin Halimi.

E janë vetë mërgimtarët që kujdesen për fshatin, thotë përfaqësuesi, Naser Ahmeti.

“Mërgimtarët nga Zvicra, Gjermania, por edhe nga vendet e tjera nuk kursehen aspak për kontributin e fshatit. Deri më tash, kanë kontribuuar në shumë projekte sikurse rregullimin e varrezave, xhamisë, pastrimin e lumit si dhe pjesën infrastrukturore të fshatit”, thotë Naser Ahmeti, përfaqësues i fshatit.

Fshati ka një ekonomi të zhvilluar. Banorët kryesisht merren me bujqësi. I tillë është edhe Shemsedin Hyseni.

Bujku ka dy hektarë me grurë, një hektar me misër si dhe të tjerat pemë dhe perime. Bën apel te banorët që bujqësinë ta shohin si mundësi të jetesës më të mirë.

“Kryesisht merrem me bujqësi. Një pjesë të jetës e kam kaluar në Zvicër dhe kur jam kthyer në Kosovë, e kam parë të arsyeshme që të interesohem për bujqësi. Posedoj 3 hektarë e gjysmë tokë, një pjesë e kam grurë, misër dhe të tjerat pemë dhe perime. I kisha ftuar të gjithë banorët që të mos e lënë punën në bujqësi, pasi që e vetmja zgjidhje është që të sjellë përfitime. Me tokë të Kosovës nuk ka për aq sa fitojnë në vendet e tjera, aq mundesh të fitosh edhe në tokat e Kosovës”, tha Shemsedin Hyseni.

Historiani thotë se fshati u popullua kryesisht nga shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit.

“Si fshat është vendbanim i tipit të grumbulluar, përveç një lagje të veçantë që gjendet në hyrje të fshatit. Fshati Uglar sipas regjistrave kadastralë i ka diku 500 hektar. Sipas dokumenteve për herë të parë paraqitet në mesjetën e vonë në vitin 1455. Në regjistrimet e popullsisë në kuadër të Perandorisë Osmane paraqitet se fshati i kishte 20 shtëpi, ndërsa në regjistrat e tjera paraqitet me më shumë shtëpi dhe banorë”, tha Halimi.

Halimi tregon karakteristikat që i ka ky fshat.

“Mikrotoponimet më karakteristike të fshatit janë: Gropat e Qymyrit, Arat e Gata, Lugi Fellë, Sliferica, Guri Zi, Kodra e Madhe e shumë të tjera”. Gjithashtu fshati krenohet me dy heronjtë Vehbi Ibrahimi dhe Fatmir Ibishi për kontributin e tyre që kanë dhënë për atdhe. Vehbi Ibrahimi ka qenë një ndër vrasjet e para politike nga UDB-ja, vrasja e tij u bë në Bruksel në shtëpinë e tij para vrasjes së Isuf dhe Bardhyl Gërvallës, fat të njëjtë ka pasur edhe Fatmir Ibishi”, tha Halimi.

Fshatit nuk i mungojnë as aktivitetet sportive dhe tashmë ka klub për garën “Motocross”.

“Kemi aktivitete të ndryshme sportive. Që nga viti 2010, kemi auto-klubin ku çdo vit mbajmë gara me MotoCross. Mbi 5 mijë anëtarë vijnë në pranverë për garat sportive”, tha Naser Ahmeti.

Fshati shtrihet rreth 6 kilometra në juglindje të Gjilanit, ka 250 shtëpi të banueshme me rreth 1500 banorë.