SOT

Trendi për sesione fotografish për festa

Ka gjashtë vjet prej se merret intensivisht me punën prej fotografeje.

Por, doza e punës për Bardha Gogën rritet edhe më shumë kur janë në pyetje festat e fundvitit.

Në studio i ka improvizuar tri skena festive të cilat thekson se i ka punuar vetë.

“Përgatitjet veç i patëm nisur para muajit dhjetor, pasi që është dashur t’i rregulloj në detaje të gjitha skenografitë, ashtu siç bëra edhe tash për t’i pritur dy mysafirë shumë special që vijnë çdo herë te unë”, shprehet ajo.

Janë Arroni dhe Jara, ata që për 5 vjet me radhë bëjnë fotografi fundviti.

Edhe për Bardhën si fotografe, pandemia ishte shkaktar i një rënieje të përgjithshme të punës për të, por festat bëjnë gjithnjë dallimin.

“Pandemia dihet që e ka prekur çdo sektor, por megjithatë fotografinë e kanë parë si diçka pozitive dhe i kanë sjellë edhe fëmijët e tyre për t’ua realizuar setet”, thotë Goga.

Me sete fotografish profesionale tash e një kohë merret edhe Gazmend Restelica.

Çdo mëngjes Restelica e fillon në studion ku ka improvizuar tri skenografi festive të realizuara nga vetë ai.

Aty, ai e rregullon në detaje ambientin, duke u kujdesur që gjithçka të jetë në vendin e vet për t’i pritur me radhë klientët e tij besnikë.

Sipas tij, janë disa komponentë të rëndësishëm për të nxjerrë një fotografi profesionale.

“Ndonjëherë gjithçka që shihet me sy nuk është e mirë te pjesa e fotografisë. Fotografia e do antiken, pra pjesën e vjetër, sepse pikërisht ato dalin më bukur”, thekson fotografi Restelica.

Kur flet për numrin e fotografive të një sesioni, thotë se janë festat ato që e përcaktojnë atë.

Janë çiftet apo familjet ato që fundvitin e shohin si periudhën e duhur për të realizuar fotografi që mbesin gjatë në kujtesën e tyre, duke u shndërruar kështu në trend.