Në pamje të parë duket si pishinë për bebe.
Por në të vërtetë është një lloj terapie e cila i sjell fëmijës shumë përfitime qysh në moshë të vogël.
Altina Bucolli është fizioterapeute në qendrën “Baby Shark”, e ajo rrëfen se hidroterapia ndihmon në përmirësimin e organeve të frymëmarrjes, kalimin e shpejtë të gërçeve e edhe përmirëson gjumin.
Hidroterapia përveçqë ndihmon në zhvillimin e mirëfilltë të fëmijëve, ndikon edhe në qetësimin dhe relaksimin e tyre.
Për këtë arsye, fizioterapeutja rekomandon terapinë disa herë në javë.
Masazhet nuk bëhen vetëm tek të rriturit, për shkak të lodhjes, ashtu siç rëndom e kemi parë.
Pas hidroterapisë, vjen koha e masazhit te foshnjat.
Bucolli thotë se masazhimi i pjesëve të trupit u ndihmon bebeve të relaksohen dhe të evitohen problemet e shumta që mund të vijnë gjatë zhvillimit.
Në këtë qendër bëhet edhe hidroterapia mes fëmijës dhe nënës, që shërben më shumë për relaksim.
E kur jemi tek nënat, ato shtatzëna kanë po ashtu nevojë për çlodhje.
Blinera Rashiti, e cila merret me masazhimin e nënave, thotë se ky trajtim është i nevojshëm për gjendjen psikike, largimin e të ënjturave e edhe me problemet me gjymtyrë.
Në kuadër të relacionit fëmijë- nënë është edhe dhoma e kripës.
Kjo dhomë të jep ndjesinë sikur je në bregdet, për shkak të sasisë së kripës që ka brenda.
Sipas Rashitit, dhoma mund të shfrytëzohet nga e tërë familja, sepse edhe përfitimet shëndetësore vlejnë për të gjithë.
Dhomën po e shfrytëzojnë edhe Doni dhe nëna e tij Zana Xhema-Rezniqi.
Ajo thotë se për 1 Qershor ia dhuroi djalit këtë trajtim me shumë përfitime e hidroterapia e dhoma e kripës janë më të preferuarat e tyre.
Rezniqi i konsideron të nevojshme hapësirat e tilla, ku përveç të mirave shëndetësore kalohet edhe kohë çlodhjeje me të vegjlit e tyre.
Qendra ofron edhe shërbime të tjera si hixhame, terapi me kupa, e shërbime të tjera për të gjithë ata që kanë nevojë, por edhe dëshirë për të kaluar kohë produktive.