SOT

Trajneri i boksit që vullnetarisht i ushtron fëmijët

Lëvizjet e shpejta e teknika e mirë që ajo ka, e kanë bërë atë fituese të shumë garave.

Kjo është Leona Dobratiqi, boksiere në klubin e boksit “Kastrioti” në Obiliq.

Bashkë me shumë boksierë të tjerë, Leona stërvitet disa herë në javë në Sallën e Sportit “Adem Jashari”.

Ajo flet për fillimet e saj në këtë sport, e përfitimet që ka marrë.

Leona është shpallur boksierja më e mirë e turneut "Dita e Çlirimit të Obiliqit".

E 14-vjecarja rrëfen eksperiencën e përzier me emocione gjatë momenteve të garave.

Bashkëmoshatari i Leonës, është edhe Leon Beka. Ai po ashtu mban titullin e Kampionit të Kosovës në kategorinë e shkollarëve për vitin 2021/2022.

Rinor Bublica garon një kategori më të lartë për shkak edhe të moshës.

E motivim i Rinorit ishin boksierët e famshëm që i shihte në media.

16-vjeçari përmend edhe kushtet në të cilat ata stërviten. Thotë se ka ende vend për përmirësim.

Trajneri i klubit të boksit, Ismet Dobratiqi, flet për interesimin e madh që kanë të rinjtë për këtë sport.

Dobratiqi, dikur vetë boksier i shquar, ofron dijen dhe përvojën e tij në formë vullnetare.

Kërkesat janë të shumta, por kushtet jo të mira ia pamundësojnë atij të implementojë gjithë programin e tij për stërvitje.

Dobratiqi flet për kapacitetin e garuesve të cilët, sipas tij, kanë mjaft entuziazëm e vullnet të arrijnë më shumë.

Sukseset e shqiptarëve në fushën e sportit çdo ditë e më shumë po vihen në pah. E interesimi i të rinjve për t’u orientuar në këtë drejtim i ndihmon ata ta shpenzojnë kohën në diçka të vlefshme për mendjen e trupin.