Secili prej këtyre nxënësve është i emocionuar pasi sot do të mësojnë diçka që nuk e kanë praktikuar më parë.
Kanë dëgjuar shumë për këtë sport e madje edhe për Kampionen e Botës në Xhudo e kanë bashkëvendëse, e me programin e ri shtetëror “Kosova, shtet i xhudos", këta të rinj ndoshta edhe mund të bëhen kampionët e ardhshëm të xhudos.
Admirim Sahara, trajner i angazhuar për shkollën fillore “Xhemajl Kada”, tregon se bashkëpunimin me të vegjlit e Pejës po e bën me shumë qejf përderisa kujton edhe fillimet e tija të parat në këtë sport.
“Me xhudo merrem qe 31 vjet, por hera parë që u interesova për xhudo ishte përmes një shoku të klasës, i cili merrej me këtë sport. Nga interesi i madh që kam pasë për këtë sport e kam përcjellë atë nga jashtë dritares. Ajo që më ka bërë për vete kanë qenë rëniet që i bënin ata e tani i bëj edhe unë, teknikat e xhudos po ashtu janë shumë interesante. Peja ka pasë fatin që të ketë trajnerin Toni Kuka, unë mendoj se nëse nuk do të ishte ai, nuk do ekzistonte xhudo tek ne në këto përmasa, ai na ka motivuar, na ka ndihmuar e ende vazhdon të japë kontributin e tij”, thotë Sahara.
Sipas trajnerit, kosovarët janë më të mirë në sporte individuale, prandaj tanimë xhudo po renditet si sporti që i solli më së shumti medalje vendit.
“Pas rezultateve të mira të xhudistëve tanë kudo në botë ka filluar interesi për këtë sport të jetë më i madh. E kemi dëshmuar se në sporte individuale jemi më të fortë dhe të kemi rezultate më shumë. Te ne ka filluar projekti ‘Kosova shtet i xhudos’ dhe në bazë të këtij projekti po mbahet në shkolla, ku shumë trajnerë në vend që kemi, jemi të shpërndarë nëpër qytete që me mbajtë nga një orë në xhudo brenda javës”, tregon Sahara.
Ai tregon se nxënësit po e pëlqejnë jashtëzakonisht sportin e xhudos, madje shumica prej tyre kanë vendosur që edhe pas mësimit t’i vazhdojnë ushtrimet për teknikat e këtij sporti.
“Numri i nxënësve ka filluar me u rrit, madje kanë kërkuar edhe në klube të regjistrohen. Në qytetin tonë ka shumë klube dhe shumica janë nxënës të rinj, sporti i xhudos nuk është vetëm me u rrëzu, me fillestarë kemi shumë lojëra, aktivitete të tjera. Përveç kapjeve dhe teknikave që i bëjmë, këto i bëjnë më tërheqëse për fëmijë e pas shumë lojërave atëherë në fund fillojmë me ndonjë teknikë ose luftë mes vete”, thekson Sahara.
Ai thotë se projekti "Xhudo në shkolla" siguron një të ardhme me shumë xhudistë të zotë.
“Ka shumë që kanë menduar se është shumë i vështirë ky sport, por në momentin kur fillojnë e shohin se çdo gjë po shkon gradualisht dhe kur vjen tek momenti i vështirë më nuk i duket problem. Gjithçka e kemi të koordinuar me program, me këtë projekt mendoj se do të vazhdojë të popullarizohet më shumë xhudoja, në të ardhmen sa kam informacion, xhudoja do të jetë edhe lëndë në shkollë dhe shpresojmë që kjo të bëhet pjesë e edukatës fizike në çdo shkollë, sepse kemi shumë talente”, thotë Sahara.
Vëllezërit Mustafa dhe Ergin Zeka ka kohë që kanë filluar trajnimet për xhudo, porse me këtë projekt ata janë të lumtur që tani atë do ta ushtrojnë bashkë me shokët e klasës.
“Unë jam 9-vjeçar, ushtroj që 3 vjet dhe kur të rritem dua të shkoj në Olimpiadë të marr medalje e të bëhem si Akil Gjakova i fortë”, thekson Mustafa.
Edhe Ergini thotë se i pëlqen ky sport.
“Xhudo më pëlqen, sepse është sport luftarak, ambiciet e mia janë që të bëhem si Akil Gjakova. Unë ushtroj çdo natë xhudo e tash ka nisë edhe në shkollë edhe për nxënësit që nuk dinë dhe mua më pëlqen që edhe shokët e mi po ushtrojnë tani xhudon”
E sipas zv.drejtoreshës së shkollës “Xhemajl Kada”, Jehona Nallbani, nxënësit e tyre kanë shembujt më të mirë të kampionëve afër vetes, prandaj edhe xhudoja u mirëprit aq mirë nga ta.
“Xhudo në shkolla është nismë e re, në shkollën tonë ka filluar qe dy javë të mbahet për një herë në javë me klasat e ciklit të ulët, trajnerët janë ekspertë të fushës dhe trajnojnë fëmijët tanë. Duke marrë parasysh se Peja njihet si qytet i kampionëve, nxënësit e kanë mirëpritur shumë mirë, shpresojmë që edhe shkolla jonë të nxjerrë talente dhe kampionë të kësaj fushe”, deklaron Nallbani.
Programi shtetëror, "Kosova, shtet i xhudos", përmes komponentit "Xhudo në shkolla - xhudistët e rinj”, ka për qëllim të zhvillojë masivizimin dhe integrimin e disiplinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës. Programi po ashtu mbështetet nga Ministria e Sportit.
Sportistët kosovarë vazhdimisht janë duke shënuar suksese në sportin e xhudos, madje para disa ditëve Federata e Xhudos e Kosovës është nderuar me çmimin e “Organizatorit më të mirë për vitin 2023” nga Federata Evropiane e Xhudos. Në kongresin e 76-të të mbajtur në Hungari, ky vlerësim erdhi si rezultat i organizimit të shkëlqyer të Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos në Prishtinë.