Sezoni dimëror tërheq vizitorët në Brod. Fshati turistik përveç bukurive natyrore, vizitorëve ju ofron edhe histori e trashëgimi kulturore.
Dyqani i rrobaqepësit Mustafa Maznikar është vendi ku ende punohet veshja tradicionale.
“Këtë e kemi punuar që nga kohërat e lashta, sepse këtë zanat e ka bërë edhe babai im. Dhe gjyshi dhe stërgjyshi im, brez pas brezi. Dikur kishte më shumë zejtarë të tillë, kemi mbetur thuajse të fundit, se nuk ka më punë. Përdoret gjithnjë e më pak, ndërsa më herët në fshat kishte 10-15 terzi”, thotë Mustafa Maznikar, rrobaqepës.
Sot konsumatorët më të mëdhenj të veshjes tradicionale janë mërgimtarët që dasmat i mbajnë në atdhe.
“Njerëzit u shpërngulën, por ky kostum ka mbetur për një kohë të gjatë edhe sot, ka ndryshuar pak. Më parë ishte me ngjyra, më vonë në të zezë, ndërsa tani këtu është prej mëndafshi. Ne punojmë siç kërkohet nga myshteriu. Në thelb është i njëjti kostum. Kërkesat janë të mjaftueshme, mërgimtarët mezi presin të vishen me kostume kombëtare, të dinë se kush janë dhe çfarë janë, kështu mbetet deri më sot. Të shohim për sa kohë”, shton Maznikar.
Shpërnguljet e banorëve po rrezikojnë bizneset. Zanatliu, Qazim Renda, thotë se djemtë e tij si shumica e fshatarëve janë shpërngulur.
“Biznesi ka rënë shumë tani, ju e dini. Fshati ishte i madh, kishte dasma, festa. E gjithë kjo u festua. Tani nuk ka punë, i dobët. Unë dua ta trashëgoj këtë zanat, por nuk ka kujt t'ia lë. Ja, kam dy djem; njëri është në Dragash si burektor dhe tjetri si punëtor në Tivar. Mësuan zanate të tjera, këtë nuk e duan. Po të kishte dikë, do ta linte menjëherë të punonte. Unë jam në pension, punoj vetëm për të kaluar kohën”, deklaroi Qazim Renda, berber.
Bakllava dhe tullumbat janë traditë e tjetër. Selman Kokica, tani i pensionuar, tregon se më shumë se gjysmën e jetës së tij ka gatuar ëmbëlsira.
“Në fshatin tim Brod bakllava dhe tullumbat janë specialitet i veçantë për festat e bajramit dhe festat e tjera. Më kujtohet një rast kur për një festë i kam përgatitur tullumbat, të gjithë banorët e fshatit më kanë falënderuar. Më kanë thënë se nuk kanë provuar më herët ketë lloj të tullumbave. Në këtë fshat po jetoj, momentalisht vetëm e kam edhe një djalë në Ceki me nuse, më thonë që të shkoj me të jetoj me ta, por mua më pëlqen vendi im, këtu do të jetoj deri të kem jetë. Nuk e jap Brodin për krejt botën”, u shpreh Selman Kokica, banor.
Sipas banorëve, Brodi në të kaluarën me 2 mijë banorë ishte komunë në vete. Ndërsa sot është fshat me 800 banorë nën Komunën e Dragashit.
Musa Bajmak ka ardhur për vizitë në fshatin e të parëve pasi që tashmë jeton në Prizren.
Ai i njeh mirë historinë dhe traditat.
Derisa ec në vendin që dikur njihej si korzo e Brodit, ai thotë se me ikjen e banorëve u shua edhe tregu.
“Kohë më parë ‘pazari’, në Brod është mbajtur 2 herë në javë ndërsa në Prizren 1 herë. Ka qenë një shprehje e vjetër që është përcjell tek ne “nëse digjet Prizreni, Brodi ka pas kapacitet që ta rindërtoj”. Në ditët e sotme nuk ka Pazar si shkak i emigrimeve të banorëve në Serbi, Maqedoni, Turqi, Gjermani e Zvicër”, tha Musa Bajmak, banor.
Ndër pleqtë më të vjetër të fshatit është 79-vjeçari Mustafa Caro, i cili me nostalgji kujton zhurmën e atmosferën në fshatin që dikur kishte shumë jetë.
“Brodi dikur ishte i pari, tani mbetet i fundit. Populli iku. Dikur kishte shumë zejtarë. Në Brod kishte ditë tregu dy herë në javë. Dikur ishte shume ma mire, dasma me lodra, tani në restorante. Atëherë ishte shumë më mirë, më gazmore. Dikur kishte më shumë njerëz. Jeta ishte më e qetë, tani situata nuk është shumë e favorshme për askënd. Falë Zotit, Serbia na jep pak, e shqiptarët na japin më shumë. Të dy japin, që të mbijetojmë disi. Nuk mund të eci më, jam me dy shkopinj”, tha Caro.
Por ka ende diçka që ruan të rinjtë. Ajo është ceremonia e marrjes së nuses.
jonë është që të martohemi vetëm me banorë të Brodit dhe jo nga vendet e tjera. Dasmat tek ne e kane një veçanti. Nga ajo maje e malit Jelicë ai që martohet duhet t’i marrë tupanët duke lozur me valle, e që më pas të niset te shtëpia e nuses. Këtë traditë e ka vetëm fshati Brod”, shtoi Bajmak.
Shumica e banorëve të fshatit janë të komunitetit boshnjak e goran.
Sot, Brodi më së shumti vizitohet gjatë dimrit për shkak të qendrës së skijimit.