Mbi 96% të popullsisë kosovare kanë qasje në internet. E sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në anketimin e vitit të kaluar vetëm 2.1% deklarojnë se nuk e përdorin sistemin e rrjeteve kompjuterike.
Izolimi gjatë pandemisë ka shtuar përqindjen e përdorimit të telefonave, laptop-ëve apo të të gjitha mjeteve të tjera që mundësonin lidhjen me botën.
Me ardhjen e virusit COVID-19, erdhi edhe një trend i ri të cilin njerëzit e shfrytëzuan për të kaluar kohën.
Tik-Tok është aplikacioni i cili ka dy vjet që cilësohet si ndër më të përdorurit në botë e edhe në Kosovë.
Sinkronizimi i zërit, sfida mes shoqërisë, e video interesante janë vetëm disa nga mundësitë që të ofron trendi për argëtim.
Numri i madh i përdoruesve sjell edhe numër të madh komentesh, të cilat shpeshherë mund të jenë bullizuese.
Anita Bajrami, nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin natyror “Sami Frashëri” thotë se ka llogari në shumicën e platformave.
“Unë si një e re, rrjeteve sociale ua kushtoj një pjesë të mirë të ditës. Disa nga rrjetet sociale që i përdori janë Facebook, Instagram, Tik-Tok e edhe Snapchat. I përdori për shkak të dy arsyeve: janë argëtuese, por edhe më ndihmojnë kur kam nevojë për disa informata shtesë qoftë në mësim apo në jetën e përditshme. Në Tik-Tok përdori disa kreativitete, që i përdorim në jetën e përditshme, njohuri që nuk i kemi ditur edhe për shumë gjëra të tjera që nuk i kemi ditur”.
Sipas Bajramit, përdorimi i Tik-Tokut duhet të ndalohet për mosha minore marrë parasysh përmbajtjet që ofrohen.
“Mendoj se Tik-Toku përmban shumë gjëra që shpesh nuk duhet t’i trajtojmë në jetën tonë dhe është ndikim negativ te disa njerëz. Mendoj që për fëmijët e vegjël përdorimi i Tik-Tok-ut duhet të ndalohet rreptësishtë, sepse kemi pasur edhe vdekje të personave për shkak se janë bullizuar nga videot e realizuara”.
“Është si lloj droge”, kështu e krahason Enis Berisha, nxënës, varësinë që të krijojnë rrjetet sociale e edhe dëmi që vjen nga përdorimi i tepërt.
“Tik-Tok-un nuk e përdori për përfitime personale si shumica, por vetëm sa për të kaluar kohën. Për anët pozitive më shërben shumë pak, sepse vetëm sa më humb kohë. Mua më ka sjell shumë dëm, sepse kam kaluar shumë kohë aty. Më së miri është mos me e përdor fare, sepse kur fillon ta përdorësh është si lloj droge që të bën të varur”.
Sipas Jona Shkodrës, po ashtu nxënëse, prindërit janë faktorët kyç që ndikojnë tek fëmijët, e janë po ata që duhet të jenë më të kujdesshëm.
“Tik-tok-un e përdori, sepse ka përmbajtje që ne të rinjtë i frekuentojmë më shumë, pra shaka, muzikë. E kam vërejt se disa gjëra që postohen në Tik-Tok nuk janë adekuate për fëmijë, besoj se duhet të jetë një moshë e caktuar. Mendoj se prindërit duhet të kenë më shumë kujdes e të kontrollojnë se çka shohin fëmijët e tyre”.
Dorjan Krasniqi, psikolog, flet për fenomenin e rrjeteve sociale e për përdorimin në masë të madhe nga fëmijët e adoleshentët.
Ai thotë se varësia e krijuar nga telefoni mund të sjellë pasoja në zhvillimin e këtyre të fundit.
“Diçka që i bën të veçanta rrjetet sociale është pamundësia e tyre për të kontrolluar moshën se cilët persona i përdorin, dhe kjo nuk dihet nëse është në interes të kompanive të cilat arsyetohen se nuk mund ta kontrollojnë, apo është gjë e qëllimshme. Ne kemi në rrjetet tona sociale, sidomos në Tik-Tok fëmijë që i përdorin e kjo është mjaft shqetësuese. Aplikacionet botërore kanë përdorur stimuj që na bëjnë t’i përdorim sa më gjatë e kështu bëhemi të varur ndaj tyre”.
Ngacmimet në internet ose ndryshe bullizmi kibernetik, janë ato me të cilat të rinjtë hasen më së shpeshti.
Sipas psikologut, një kujdes i shtuar i prindërve në përmbajtjet që fëmijët shohin do të ndihmonte në përmirësimin e gjendjes.
“Fëmijët dhe të rriturit bulizohen me video ose postime dhe në këtë formë quhet bullizëm kibernetik. Pra, në këto raste fëmijët të cilëve videoja u bëhet virale sepse masa e konsideron jo të përshtatshme e kjo është e rëndë njëjtë sikur të jetë bullizëm real vetëm me një masë akoma më të gjerë. Prindërit duhet të kontrollojnë përmbajtjet dhe të bëjnë një orar, jo t’ua ndalojnë komplet, por të ketë një kufi. Fëmija duhet të mësojë rregullat e shoqërisë, t’i përshtatet rrethit e nëse prindi nuk ka rezultat pozitiv, atëherë duhet të kërkohet ndihmë nga psikologu”.
Përdorimi i madh i telefonit e mbyllja brenda botës së internetit mund të shkaktojnë ngecje në zhvillimin e komunikimit ekspresiv apo shprehës të fëmijëve. Andaj ekspertët rekomandojnë kontrolle dhe orare mbi kohëzgjatjen e përmbajtjen e materialeve në të cilat fëmijët kanë qasje.