Pandemia ka ndryshuar mënyrën e jetesës. Në kohën kur vendosja e maskës është bërë obligative, Flaka Latifaj ka reflektuar mbi këtë situatë.
Ka gjetur një mënyrë kreative për të mos harruar maskën në shtëpi. Rruazat shumëngjyrëshe kanë fjalën kryesore në gjetjen e saj, raporton KOHA.
Maska tashmë na është bërë pjesë e jetës e disa nga punimet me rruaza që i bën Flaka lidhet pikërisht me harresën për mbajtjen e maskës.
Ndonëse është studente e mjekësisë, një pjesë të ditës ajo po e shfrytëzon për të krijuar aksesorë. Por përveç kësaj, ajo rimodelon edhe rroba.
Punimet me rruaza, sipas saj, nuk janë të vështira dhe mund t’i bëjë kushdo në shtëpi.
E ngjyrat që ajo i përzgjedh gjithnjë janë më të ndezura ose me shkëlqim.
Edhe pse këtë punë e filloi nga pasioni, tashmë aksesorët e saj po pëlqehen nga grupmosha 18-25 vjeç. Shitjen e tyre po e bën online përmes faqes së saj në Instagram. Pastaj porositë po i dërgon me postë.
Punimet me dorë në familjen e saj ajo thotë se janë të përditshme. “Vjen një kohë në mbrëmje dhe të gjithë fillojmë punimet tona me rruaza”. “Fire’ ish” është faqja e saj që tashmë i numëron qindra ndjekës.