SOT

Teste antigjene në krejt shkollat e Prishtinës

Këta janë nxënësit e shkollës fillore “Iliria” në Prishtinë, të cilët duan t’i nënshtrohen testit antigjen me pështymë.

Këto të fundit i shpërndau Komuna e Prishtinës ditët që lamë pas.

E gatshme për t’u ofruar ndihmën e duhur është doktoresha e shkollës, Shqipe Zogaj.

Nga 3765 teste që ka pranuar kjo shkollë, Zogaj deri tash ka testuar pak prej nxënësve, e kryesisht ata i drejtohen kësaj dere pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma të virusit.

“Këto janë teste të shpejta e rezultati i tyre merret pas 15 minuta. Kryesisht ata që vijnë për t’u testuar tregojnë nëse kanë ethe, temperaturë apo ndonjë simptomë tjetër e në të njëjtën kohë edhe nëse shoku-shoqja e klasës apo ndonjë i afërm është pozitiv. Mendoj që duhet të testohen ata nxënës që kanë simptoma të virusit. Megjithatë, sot kanë ardhur më tepër nxënës në zyrën time, ndoshta është edhe kurioziteti për testim”, thotë Zogaj.

Për Zogajn, natyra e punës vazhdon të jetë e njëjtë pavarësisht që fokusi është më i shprehur drejt varianteve të reja të virusit.

Por, sipas doktoreshës, edhe fëmijët kanë marrë mjaft informata e janë mësuar me këtë gjendje tashmë.

“Vitin e kaluar kam qenë më tepër e angazhuar me matjen e temperaturës së fëmijëve, jam munduar t’ua heq edhe frikën kur ata frikësoheshin. Dikur kam bërë kontrolle sistematike të krejt stafit, por tash po e bëj më me vullnet punën duke shpresuar që askush prej kësaj shkolle nuk rezulton pozitiv”.

Nga 1600 nxënës të “Ilirisë”, në vetizolim janë pak prej tyre dhe sipas drejtoreshës Remzie Komshi- Racaj ata kanë qenë të infektuar ende pa filluar gjysmëvjetori i dytë.

Arsyeja se pse shkolla vazhdon të jetë në gjendje të mirë, sipas saj, janë kriteret e ndërmarra e masat e respektuara e tash edhe testet e shpejta po ua lehtësojnë punën.

Sipas saj, duhet theksuar se edhe shumë prej tyre kanë marrë vaksinën anti- COVID-19.

“Ne ju kemi tregu që secili mësimdhënës i shkollës tonë është vaksinuar. Fëjimëve ju kemi shpjegu se e vetmja masë mbrojtëse kundër këtij virusi është vaksina”.

Pas kthimit në mësim të rregullt, Racaj shton se do të bëjnë gjithë çfarë është e mundur që të mos shkojnë përsëri në mësimdhënie virtuale.

“Nga shkolla jonë, 9 nxënës janë në vetizolim. Këtu disa prej tyre janë me grip sezonal. Shpresoj që ky numër të mos rritet sepse asesi nuk duhet të kthehemi te skenari C sepse mësimi virtual nuk ka dhënë efekte të kënaqshme”, thotë drejtoresha.

Edhe mësimdhënësja Ramize Salihu pohon se mësimi online nuk e ka pasur efektin e njëjtë.

E plot 32 nxënësit në klasën e saj ende po e vendosin maskën. Thotë se është e vështirë, por po ndihen më të lehtësuar kur e dinë se fëmijët po testohen në rast dyshimi.

“Mënyra fizike e mbajtjes së mësimit është 100% më e sakte dhe më e dobishme për fëmijët sepse është ndryshe kur ata na shohin fizikisht”.

Sipas Komunës së Prishtinës, testet janë shpërndarë në proporcion me numrin e nxënësve në të gjitha shkollat, si në qytet ashtu edhe në periferi e në fshatra.