SOT

Tenisi, sport i dashur për fëmijët e Kosovës, por pa infrastrukturë

Fëmijë të moshave të ndryshme në Kosovë shfaqin interesim për tenisin. Ata i shprehin pikëpamjet e tyre për një sport si ky. Në moshë kanë diferenca, por fusha e tenisit i bën gjithnjë bashkë në ushtrime.

Për teknikat e veçanta, qetësinë mendore e për zhvillimin fizik që ua ofron tenisi, ata thonë se e duan dhe se e zgjodhën që në fëmijëri.

Por në Kosovë, për t’u zhvilluar “sporti i bardhë” kërkohet infrastrukturë adekuate për tenis, gjë që mungon sipas trajnerit të tenisit Granit Bajraliu.

Ai punon me grupe të ndryshme dhe duke qenë vetë tenist përmend rëndësinë e marrjes me tenis në moshë të hershme.

Gjatë punës, thotë të ketë parë potencial të lartë te të rinjtë kosovarë.

Pos angazhimeve të tjera ditore, Fresk Sylhasi merret intensivisht edhe me tenis, sport që e ushtron prej 10 vjetësh.

Tregon se ka pasur edhe paraqitje jashtë vendit, duke treguar rezultat pozitiv.

Sfidues e dinamik, kështu e sheh tenisin 16-vjeçarja Forta Morina.

Përkushtim maksimal gjatë stërvitjeve tregojnë edhe dy të vegjlit, Hana dhe Shendi.

Ata madje i kanë të preferuarit e tyre për teknikat që i tregojnë në lojë.

Katërshja që i përcollëm në një ditë ushtrimesh synimet i kanë të qarta.

Ata duan të renditen krah tenistëve botërorë, me kërkesën e vetme për të pasur hapësira që ua mundësojnë përgatitjet e nevojshme.