SOT

Të vegjlit, koncert me këngët e viteve ‘90

Adrenalina është një ndër arsyet kryesore për ushtrimin e instrumentit të baterisë.

Energjia që kërkohet për të liruar një tingull është e lartë e pak e lodhshme, megjithatë këta të rinj po ia dalin.

Ian Carkaxhiu është ndër më të vegjlit e “Tony Drum Studio”. 7-vjeçari rrëfen momentet që nga njohja me bateritë apo “drums” siç i quan ai , e deri te planet për të ardhmen.

Për kompleksitetin e këtij instrumenti na flet Lis Plakolli, i cili po ashtu është pjesëtar i grupit.

Fokusi i grupit këtë kohë është i përqendruar në përgatitjen e një koncerti të radhës.

Lorenc Xhelili është njëri ndër bateristët më të vegjël, i cili ndan detajet për koncertin dhe për pjesën që ai do të interpretojë.

“Tony Drum Studio” ka filluar punën qe nëntë vjet.

Instruktori Faton Aliu thotë se të rinjtë janë shumë energjik e plot entuziazëm.

Sipas tij, nxënësit e studios ndihen mirë dhe të relaksuar gjatë orëve individuale, që përveç në mënyrë profesionale, u ndikon edhe në largimin e stresit.

Duke qenë se Fatoni, i njohur për publikun si “Toni”, ka shumë vjet karrierë në këtë fushë, ai vlerëson kontributin që artistët e rinj po i ofrojnë vendit.

Toni thotë se Kosova është e mbushur me talente të cilat me më shumë përkushtim mund të arrijnë suksese ndërkombëtare.

Në shtator të këtij viti pritet të mbahet një koncert me këngët shqipe të viteve ‘90.

Sipas Aliut, fakti se këto këngë do të interpretohen nga fëmijët e bën atë entuziast dhe me pritshmëri të larta.

Koncerte e aktivitete të shumta organizohen në kuadër të studios me qëllim të promovimit sa më të madh të talenteve të reja, por edhe për avancimin e tyre në nivel ndërkombëtar.