Mëngjesi i hershëm i gjen 70-vjeçarin Salim Xhelani dhe mikun e tij të sapopensionuar, Osman Goranci, në bjeshkë.
3 orë në ditë aktivitet fizik janë të zakonshme për ta me gjithë moshën që kanë.
Po të jetë shoqëria e mirë, thonë se qëndrojnë në bjeshkë deri në 10 orë.
“Çdo ditë bëj ecje nga 3 orë, ndërsa kur dalim me shoqëri ecim nga 10-12 orë, kur shkelim majat më të larta në bjeshkë. Apeloj te rinia dhe te të moshuarit që të dalin në bjeshkë. Unë jam 70-vjeçar edhe po dal të eci në bjeshkë. Vitaliteti dhe kondicioni mbahet vetëm me bjeshkë”, thotw Xhelani.
“Me Osmanin jemi në bjeshke mbi 30 vjet, interesant është se rregulla e bjeshkës kërkon që mos të harxhohet energjia gjatë të folurit, ndërsa Osmani nuk ndalet duke folur gjatë ecjes në bjeshkë. Kjo është e mirë, sepse rruga kalon më shpejt”, shtoi ai.
Salimi, që preferon ecjen e heshtur, ka ngjitur malet edhe në Shqipëri, Maqedoni e Turqi.
E Goranci që i do bisedat ndan me mikun ecjet deri në Afrikë.
“Kam pasur fatin në krahasim me bjeshkatarë të tjerë që në vitet ‘70 të pushtoj shumë maja ndërkombëtare nëpër botë. Kam vizituar Afrikën, Azinë dhe Evropën. Ajo eksperiencë më ka bërë që tani kur dalim me Salimin filloj të shpjegoj gjëra lidhur me të kaluarën. Ushqimin kryesor që e marr janë bjeshkët, sepse pushtimi i një maje është sfidë dhe shpeshherë kur më pyesin se si e ndien veten, kur arrin cakun te një majë, u them se e ndiej veten shumë të madh, sepse e shoh botën e vogël”, tha Osman Goranci.
Salimi thotë se gjatë ecjeve ka njohur më shumë faunën në këto anë.
“Sa u përket shtazëve të egra në bjeshkët e Sharrit ka shumë lloje, sikurse arinjtë, drerët. Deri tani vetëm 1 herë e kemi parë arushën gjatë ecjeve tona. Kemi qenë larg dhe nuk kemi pasur ndonjë rrezik nga ariu, drerët i kemi parë më shpesh edhe dhitë e egra. Sa u përket frutave ka shumë në bjeshkë, p.sh. njeriu mund të mbijetoj me pemë të egra”, shtoi ai.
E, Sokol Kyçyku, në shumicën e rasteve u bashkëngjitet Salimit e Osmanit për ecje. Tregon se shumë male kanë shkelur së bashku.
“Pothuajse në këto male të gjitha majat i kam shkelur, po ashtu edhe në Shqipëri e Maqedoni kam shkelur shumë maja. Brenda muajit i kemi vizituar majat më të larta, p.sh. Majën e Titos, Jezercën, Gjeravicën etj, u shpreh Kyçyku.
Për të ecur në rrugët malore duhen edhe pajisjet adekuate, thotë ai.
“Secili person që dëshiron të vizitoj bjeshkën duhet të ketë çantën me vete, të mbathurat dhe veshjet adekuate për bjeshkë. Duhet të kenë kujdes edhe për ujë se ka bjeshkë që nuk kanë ujë dhe bjeshkatarët duhet të kenë ujë e ushqim me vete”, pohoi Kyçyku.
Pas çdo ecjeje bjeshkatarët ndalen për të pushuar në shtëpinë e cila gjendet te uji i gropuar. Shtëpia është nën menaxhimin e bjeshkatarëve dhe si e tillë mirëmbahet nga ta.
te maja e Bulecit kemi ecur rreth dy orë, çdo javë i kemi relacionet e ndryshme. Shoqata e bjeshkatarëve ka filluar funksionimin që nga viti 2004, ndërsa si grup kemi filluar shumë më herët. Objekti te ura e gurit është nën menaxhimin tonë, kushtet janë të përshtatshme, kemi 50 shtretër, tualet etj. Këtu vijnë shumë vizitorë, sikurse grupe të sporteve të ndryshme. Me Osmanin dhe Sokolin kemi vizituar shtëpinë e bjeshkatarëve, si dhe majën e Bulecit 1657 metra, jemi kthyer këtu, tash do të drekojmë, çdo javë e vizitojmë shtëpinë e bjeshkatarëve”, deklaroi bjeshkatari Salim Xhelani.
Derisa apelojnë që në shtigje të ecjes të ketë sa më shumë vrapues, ata mbesin shembull që nuk do të ndalen as në mot me shi e borë.