SOT

Të miturit e Qendrës Edukuese Korrektuese të privuar nga liria, por jo nga mësimi

Mëngjesi i fëmijëve në Qendrën Edukuese Korrektuese tyre nis herët, ashtu si për çdo fëmijë tjetër që shkon në shkollë.

Por, për këta të mitur, ndryshon ambienti ku ata marrin mësimet.

Është pavijoni i shkollës që të miturit e Qendrës Edukuese Korrektuese në Lipjan e vizitojnë të parin gjatë ditës. Ata janë të privuar nga liria e plotë, por kjo nuk do të thotë se mundësia për mësim është e kufizuar njësoj.

Zyrtarja sociale për trajtimin e të burgosurve në Lipjan, Flakë Ymeri, thotë se aktualisht brenda këtyre hapësirave janë rreth 60 të mitur të privuar nga liria. Megjithatë, rreth 20 prej tyre po marrin mësime në shkollën e qendrës.

“Dita këtu fillon qysh në ora 07:00 ku të miturit kryejnë rutinën e mëngjesit, më pas fillon shkollimi, gjithçka përcillet me kujdes të shtuar, ku procesi mësimor fillon në orën 08:00. Këtu në qendrën korrektuese numri i të miturve ndryshon nga dita në ditë, aktualisht janë diku rreth 60 të mitur në të dy qendrat edhe në tipin e mbyllur dhe atë të hapur, por janë diku mbi 20 nxënës në proces mësimor. Është bërë tashmë një vit që po ofrohet edhe mësimi klasor dhe i përshpejtuar nga klasa 1-5 për ata nxënës që nuk dinë shkrim e lexim, nga klasa 6-9 ka qenë mësimi vazhdimisht, është edhe shkolla e mesme e nga kjo qendër në 5 vjetët e fundit janë 5 studentë që janë diplomuar në këto hapësira”, thotë Ymeri.

Sipas saj, të miturit e shijojnë këtë pjesë të ditës. Mësimet që i lanë në gjysmë jashtë, ata i vazhdojnë brenda, duke qenë në shoqërinë e shokëve nga vende të ndryshme.

“Disa nuk e dinë që në këtë qendër është edhe shkolla nga klasa 1 deri në klasën e 12-të, por me informim shumica e të miturve janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të kryejnë mësimin duke ditur rëndësinë e edukimit e madje kjo është baza për edukimin dhe rehabilitimin, janë po ashtu edhe programet rehabilituese që ndihmojnë në socializmin në komunitet. Edhe prindërit janë shumë bashkëpunues me ne, na bëjnë punën më të lehtë stafit këtu dhe inkurajojnë fëmijët e tyre që të punojnë më shumë dhe të gjejnë edukimin brenda kësaj qendrës”, deklaron Ymeri.

Ajo thotë se çdo i mitur mund të diplomohet brenda qendrës. Pas daljes nga kjo hapësirë e izoluar, ata gëzojnë të drejtat e plota, ashtu si çdo i ri tjetër, nëse dëshirojnë të vazhdojnë studimet akademike apo të punësohen.

“Të miturit kanë të drejtë të ndjekin studimet në Universitetin e Prishtinës apo private dhe nuk është fare pengesë për ta kurdo që ata duan të vazhdojnë nivelin akademik. Të miturit që po ndjekin mësimin këtu janë rreth 20 prej tyre, e të tjerët që nuk vijojnë mësimin mund të jenë që ndoshta kanë përfunduar shkollimin, ose ende nuk kanë marr fletëkalimet nga shkollat e tyre, por shpesh është sfidë sepse kur fillon fazën edukative apo dënimin në mes të gjysmëvjetorit na duhet kohë për ta këqyr në procesin mësimor”, thekson Ymeri.

Disa të mitur nuk marrin mësime për arsye të ndryshme dhe qëndrojnë në qendrën e tipit të mbyllur. Megjithatë, në të ardhmen pritet që kjo të ndryshojë dhe të gjithë të kalojnë në një qendër të tipit të hapur, për të marrë shërbimet edukative.

“Të miturit që janë në masën edukative në qendrën edukuese korrektuese janë të miturit me privilegje të vetëmenaxhuar, kurse këta që janë në qendrën e tipit gjysmë të hapur ende nuk kanë arritur në legjislacionin e 1/3 dhe ende kanë probleme me procedura ligjore, por në një të ardhme pritet që të gjithë këta fëmijë të jenë në tipin e hapur në mënyrë që fëmijët të marrin shërbimet edukative. Mësimdhënës ka të mjaftueshëm në gjitha lëndët, përfshihen edhe arsimtarët nga klasa 6-9, kurse shkolla e mesme është shkolla amë ‘Adem Gllavica’, ku është drejtimi teknik me lëndë teknike e po ashtu profesor të këtyre lëndëve”, deklaron Ymeri.

Përveç edukimit, të miturit janë të përfshirë edhe në programe rehabilituese dhe aktivitete të tjera që i nxisin ata të angazhohen dhe të përgatiten për jetën sociale, si dhe për jetën jashtë qendrës.