Blerton Jetullahu është parukieri i cili e ofron shërbimin e rregullimit të flokëve në studion “Goddess”.
Ambientin e punës, Jetullahu e ndan me partneren e tij Beatra Shehun, e cila është grimere.
Jetullahu thotë se ideja e hapjes së lokalit të përbashkët e arsyeja e vendosjes së emrit lidhen me të bukurën.
“Hapjen e lokalit e kemi bo në Janar, ndërsa lokalin e vjetër e kemi pasur tek Grandi. Falë punës edhe stafit kemi arritur të vijmë deri këtu. Puna e emrit e simbolizon Prishtinën. Kemi dashur që edhe logon por edhe ngjyrat me i pas të Prishtinës.”
Kolegia dhe njëkohësisht partnerja e Blertonit, Beatra thotë se dita e tyre fillon bashkë e edhe përfundon po ashtu.
Sipas Shehut, bashkëpunimi që dyshja kanë në punë u ndihmon shumë të kenë suksese.
“Dita zakonisht nis duke biseduar çka kemi me bo sot, kënd e kemi sot. Fillojmë ato rutinat tona edhe mandej vazhdojmë të punojmë. Nuk e di ne jemi mësuar ashtu, nuk funksionojmë ndryshe. Jemi një dyshe shumë e mirë. Kur punojmë bashkë jemi në punë e ke mendjen te puna, jemi shokë, jemi koleg, pastaj jemi edhe partner.”
Mirëkuptimi është një nga përfitimet që grimerja numëron në rangun e të mirave që vijnë nga puna e përbashkët.
“Të mirat janë që ndryshe prej çifteve që nuk punojnë bashkë, kur ti flet me partnerin për punë, ai din të të kuptojë më shumë, të mbështet më shumë, mirëkuptimi është tjetër e shumë çka tjetër.”
Që ata janë korrekt në punë, e konfirmon Jetullahu, sipas të cilit ka klientë që me vite nuk kanë arritur të dallojnë se dyshja përveç në punë, janë edhe partner në jetë.
“Puna na ka bërë bashkë, ne nuk kemi vështirësi, vetëm sa ia lehtësojmë punën njëri- tjetrit. Qysh nga fillimi jemi mësuar që vetëm me shikime ose me gjeste kuptohemi, e kemi partneritetin shumë të zhvilluar. Realisht ka klient që i kemi që një vit apo dy klientë edhe kohët e fundit e kanë kuptuar që jemi bashkë sepse ka komente të ndryshme. Kryesisht janë komente të mira por ka edhe të llojit dyshues që si na shkon puna bashkë mirëpo realisht janë të mira komentet”.
Për çiftin puna që e bëjnë bashkë ka shumë të mira, andaj Shehu ua sugjeron të gjitha çifteve që kanë synime të tilla.
“Këshilla e vetme që ua kisha dhënë të gjithë çifteve që mendojnë a është e vështirë apo jo puna me partnerin, do të u thosha që nuk është vështirë fare, kjo varet se sa të lehtë ia bënë vetes. Ne e kemi gjetur një mirëkuptim kështu që besoj që të gjitha çiftet që janë mirë me njëri- tjetrin mund ta arrijnë këtë. Është shumë më mirë kur e ke profesionin e njëjtë.”
Nga krehri e brusha po ndryshojmë ambient.
Dalim në një tjetër hapësirë e që ka të bëjë me të qenit i shëndetshëm.
Pjetër Thaqi e Drita Ndou janë stomatologët e “Prishtina Dental Aesthetic”, e njëkohësisht janë edhe partnerë në jetë.
Ndou thotë se partneriteti i tyre lindi që në kohë të studimeve për të vazhduar tashmë me praktikimin e punës bashkë.
“Atëherë ne kemi qenë koleg në fakultet, kemi qenë në studime bashkë edhe përderisa e kemi përfunduar fakultetin ka lind edhe ideja për me e hap klinikën bashkë. Përpos kohës tjetër që e kalojmë bashkë, përparësi tjetër është që je më e lirë gjatë punës, e ke një bashkëpunim më të mirë, më pa atë syrin kritik, këto janë ato përparësitë. E kemi një bashkëpunim shumë të mirë, e këshillojmë njëri- tjetrin edhe para punës kur vjen pacienti, edhe gjatë punës e kemi shumë më të lehtë.”
Specializanti i Kirurgjisë Orale thotë se kritikat e shumta që merr nga partnerja në punë do t’i cilësonte si të nevojshme më shumë sesa si vështirësi.
“Zakonisht zgjohem në ora shtatë në mëngjes, në ora tetë duhet të jem në spital për shkak se jam specializant i kirurgjisë orale, deri në ora dy mbet Drita pak vetë në ordinancë pastaj prej orës dy jam në ordinancë edhe unë. Nuk ka shumë vështirësi por zakonisht kërkon më shumë nga ana profesionale, kërkon nga partneri, një shërbim më të mirë e në këtë rast kritikat janë më të mëdha. Profesionalisht i ndihmojmë shumë njëri-tjetrit për shkak se diskutojmë edhe jashtë orarit meqë e kemi profesionin e njëjtë.”
Të qenit çift edhe në punë, Thaqi thotë se kjo ndikon në zhvillimin e biznesit, pasi që një fakt i tillë i bënë të ndihen më komod edhe pacientët.
“Zakonisht ka komente të mira, pyesin se si jeni taku, është një përshtypje e mirë për pacientin. Besoj se ndikon më mirë sepse edhe pacientët nga dy gjinitë ndihen më mirë kur e dinë se jemi çift.”
Edhe stomatologja ua rekomandon partnerëve të jetës, të bëhen të tillë edhe në punë nëse është mundësia sepse sipas saj, gjithçka është më e lehtë.
Puna e përbashkët mes një çifti ndonëse ka të mirat, ka edhe vështirësitë e veta, për të cilat arsye ka edhe të tilla që nuk do të pranonin të ishin kolegë pune.