SOT

Të ardhurat familjare nga qurat, pulat e paunat

Përmes kësaj storieje do të shkojmë në Rahovec, për të parë nga afër pulat e qurat e Ramiz Morinës që i mban. Nuk janë vetëm shpezët pasioni i tij.

Për çka flet tjetër e ndjekim materialin në vazhdim.

Ramiz Morina nga fshati, Malësia e vogël e Rahovecit, tash e 10 vjet njihet për kultivimin, rritjen dhe shitjen e qurave, pulave e shpezëve të tjerë.

Morina iu kthye punëve të fshatit si shkak i shkollimit të fëmijëve të tij.

Thotë se të ardhurat e tij janë më të mirë tani sesa kur punonte në ndërtimtari.

“Kam punuar 13 vjet si nivelizues, por gjithmonë këtë punë e kam pasur më merak. E kam lenë punën dhe jam marrë vetëm me bujqësi sepse lavdëria është më e madhe. Familjen time e mbaj me këtë punë edhe krejt shitjet e vezëve, pulave e qurrave i bëjnë në oborr nuk dalë askund. Vijnë nga Prishtina, Gjilani, Podujeve etj, për të blerë nga unë”, ka thënë Morina.

Biznesin e nisi me vetëm 4 pula dhe 2 qura, ndërsa tani oborri i tij është i mbushur me shpezë të ndryshëm.

Ai tregon për racat e pulave si dhe për çmimet e qurave të cilat sipas tij, arrijnë shifrën deri në 70 euro.

“Kam filluar me pak pula dhe qurra. Për momentin i kam 250 pula, 350 qurra, 10 shota, i kam dy pauna me zogj. Gjithashtu i kam 4 qen që përkujdesen për shpezët. Një pulë kushton 25 euro deri 30, gjeli mundet me kushtuar deri në 70 euro, qurranët meshkuj kushtojnë 50-60 euro varet nga pesha. Qurranët për vit të ri edhe i përgatiti vetë, vetëm për festë e vitit të ri i kam përgatit 40 qurana. Kryesisht i blejnë rrethi jem”, ka thënë ai.

“Unë i kam dy raca të pulave, amrok dhe pulimatrok, raca amrok është e mirë për ve ndërsa pulimatrok për mish. Vezët e tyre vijën në shtëpi i marrin. Ai person që një herë ka marrë vezë nga unë nuk është larguar asnjëherë. Kryesisht i marrin për shtimin e pulave. Edhe vezët e qurrave i shes gjithashtu kanë shitje të mirë. Qurranët i shes për mish për vit të ri”, ka shtuar ai.

Fermeri punën e nis qysh në mëngjes dhe e përfundon në mbrëmje. Qurani kërkon kujdes më të veçantë.

“Herët në mëngjes shkoj te vendi ku i kam qurrat e pulat u qes ushqim, ujë. I kam të ndara të mëdha veçmas nga ato të voglat. Nga ora 12:00 përsëri i kontrolloj a kanë ushqim, a po i mungon diçka. Edhe nga ora 17:00 vijë edhe i kontrolloj sidomos ujin ua ndërroj. Deri ora 19:00 i vëzhgoj pastaj shkoj në shtëpi”, ka shtuar ai.

Përveç, pulave, qurave e patave si më të veçanta i ka edhe Paunat, zogjtë e tyre i shet nga 40 euro.

“Paunën mashkull 200 euro e kam ble ndërsa femrën 150. Një zog i paunës kushton 40 euro”, ka potencuar ai.

Përveç shpezëve, fermeri merret edhe me bujqësi. 2 hektarë e ka të mbjellë me misër, pemë dhe perime.

“Pos shpezëve merrna edhe me bujqësi, mbjell, boston, pjepër, misër, speca. Misrin e mbjelli vetëm për shpezë. Në Kosovë me punuar është më vështirë nuk mundemi me arrit sikurse janë në Zvicër e Gjermani, por edhe këtu unë me familjen time po ja dal. Me shpezë me bujqësi, po jetoj mirë. Bon edhe këtu me dashtë, mirë kish qenë me na ndihmuar edhe nga pak qeveria. Fshatin nuk e kisha ndërruar as me një pjesë të madhe të Prishtinës, është fshat i bukur, por edhe jeta është më e mirë”, ka thënë Morina.a

Morina nuk është përfitues i subvencioneve nga shteti, pasi që për të qenë përfitues, çdo fermer duhet t’i ketë mbi 2 mijë shpezë.