Para 3 vjetësh “Optimus Taekwondo” u themelua si klub nga ish-kampioni i Kosovës në Taekwondo, Flamur Visoka.
E tani në rolin e trajnerit, Visoka po i gëzohet arritjeve të sportistëve të vegjël të cilëve po ua mëson teknikat e veçanta të këtij sporti.
Idva Osmani është vetëm 8-vjeçare. Para një viti iu bashkua klubit ndërsa sivjet arriti të bëhet medaliste e argjendtë në Kampionatin Evropian për të rinj që u mbajt para disa javësh në Tiranë.
“Unë jam 8-vjeçare, para një viti erdha në këtë sport sepse më ka pëlqyer dhe më sugjeruar mami im. Në fillim kisha dyshime se nuk isha e mirë në këtë sport, por mami po më jep vazhdimisht kurajë”, thotë ajo.
Idva tregon për triumfet dhe medaljet e deritanishme, e atë të argjendtën thotë se e ka më për zemër.
“Medaljen e parë qe fitova ishte për vendin e dytë, e medalja e dytë është vetëm se isha pjesëmarrëse, e kjo medalja e tretë dhe e fundit është më e rëndësishmja për mua sepse është e argjendtë dhe e fitova në Kampionatin Evropian në Tiranë”, thekson ajo.
E 11-vjeçarja Buna Arifi thotë se pas gjitha sporteve që i provoi, Taekwondo e bëri për vete.
Pretendon ta arrijë edhe medaljen olimpike. Teknikat e këtij sporti janë shumë unike andaj edhe ushtron me përkushtim të madh.
“Me sportin e Taekwondos po merrem që 2 vjet, më herët jam marrë edhe me sporte të tjera, provova shumë prej tyre por në zemër më mbeti Taekwondo. Pasi që po merrem me këtë sport kam vë re tek vetja se jam bë më e fortë. Kam marrë pjesë në Kampionatin e Kosovës ku 3 luftëra arrita t’i përfundoj para kohe, synimi im mbetet të fitoj sa më shumë medalje dhe të marrë pjesë në kampionate botërore e po ashtu në Olimpiadë”, tregon ajo.
Trajneri, Flamur Visoka sugjeron moshën 6-vjecare kur do të duhej fëmijët të fillonin ushtrimet për Taekwondo.
“Merrem që 24 vjet me Taekwondo, kam qenë ish-kampion i Kosovës, me klub fillova tash e 3 vjet kryesisht fokusohem me mosha të reja. Çdo herë po shkon duke u rrit numri i fëmijëve të interesuar për këtë sport. Benefitet nga ky sport janë të mëdha, shëndeti mendor, fizik, socializmi mes fëmijëve, rritja e vetëbesimit e shumë të tjera”, thekson Visoka.
Sipas tij prindërit janë ata të cilët këmbëngulin që fëmijët e tyre të merren me këso aktivitete fizike.
“Shumica e fëmijëve vijnë vetëm për ta provuar si sport, e me kalimin e kohës e kanë për qejf, synim kanë që të marrin pjesë në sa më shumë gara dhe të përfaqësojnë vendin në gara të mëdha. Fokus kam gjeneratat e reja sepse në vend nuk kemi shumë të rinj që mund të na përfaqësojnë si vend. Deri tani si sukses më të madh kam triumfin e fëmijëve që patën në kampionatin Evropian në Tiranë”, thotë Visoka.
Ish-kampioni thotë se edhe Taekwondo duhet shtohet si orë mësimorë në shkolla pasi që sportistët kosovarë tanimë kanë dëshmuar se janë mjaftë të zotë në sportet luftarake.
“Xhudoja ka filluar të bëhet pjesë e mësimit në shumë shkolla, më mirë do ishte të investohej edhe më shumë në sporte individuale sepse po i shohim edhe sukseset tona më të mëdha që sollën sportistët tanë nga sportet luftarake, unë pres më shumë interesim nga institucionet tona që të bëjnë më shumë për sportin e Taekwondos dhe gjeneratat e reja”, thekson Visoka.
Në fillim të muajit nëntor u mbajt Kampionati Evropian për Kadetë dhe Fëmijë ku ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj, e përveç Idva Osmanit, edhe Valina Fetiu ishte fituese e medaljes së argjendtë.