Fryma meksikane është ajo që e karakterizon restorantin “Mucho” në Prishtinë, aty ku edhe ushqimet janë të bazuara nga vendi amerikan.
Sipas pronarit, Durim Bujupi, integrimi i një risie nga vendet e huaja ishte arsyeja e hapjes së lokalit.
Kur diçka është e re, gjithmonë ka dyshime, megjithatë Bujupi thotë se njerëzve po u pëlqen dhe ushqimet i shijojnë.
Ndonëse të huajt që vizitojnë Kosovën janë të njohur me kuzhinën meksikane e shpesh ushqehen aty, sipas pronarit, edhe vendorët kanë filluar t’i vlerësojnë ushqimet e tilla.
Bujupi liston specialitetet më të preferuara të klientëve, të cilët tashmë janë edhe të rregullt.
Enterieri i detajizuar është po ashtu ajo që vihet re që në hyrje të lokalit, një rëndësi të madhe i është kushtuar edhe kësaj pjese nga pronarët.
Nga “Burrito” e “Taco” i Meksikës shkojmë në një vend evropian, në Itali.
E porsa përmendet Italia dhe ushqimi, mendja na shkon te picat.
Napoli është qyteti italian prej nga e ka prejardhjen pica, mirëpo “Napoli” i Kosovës është restoranti që njihet për përgatitjen e picës.
Enis Berkolli, shefi i kuzhinës në këtë restorant, rrëfen se pikërisht nga tradita italiane nisi edhe puna këtu në Prishtinë.
Në ishim të pranishëm në kohë dreke andaj edhe pamë për të interesuarit, të cilët, sipas Berkollit, janë në numër të madh, qoftë me porosi apo edhe në restorant.
Duke filluar nga mielli e deri te përbërësit e fundit në picë, shefi i kuzhinës thotë se vijnë nga Italia.
Ai shton se kjo i dallon në treg sepse edhe kualiteti është i garantuar.
Sipas Berkollit, bizneset e tilla me fryma nga vendet e huaja do të ishin të mirëseardhura, pavarësisht që Prishtina është e ngarkuar nga bizneset.
Vendet e tilla i sjellin një atmosferë më ndryshe kryeqytetit duke filluar nga ushqimi e deri te dekori i lokaleve, andaj edhe për qytetarëve, një përvojë më ndryshe, ua zgjon kureshtjen e bëhen frekuentues të shpeshtë.