SOT

Suharekasja që u nis në këmbë drejt Vlorës, qep veshje kombëtare

Veshjet kombëtare janë çdo herë pjesë e festave kombëtare. Si të tilla ato punohen nga shumë artizane. Në mesin e tyre është artizanja Sevdije Hoxha nga Suhareka, e cila ka trashëgimi punën e dorës. Veshjet e zonave të ndryshme të ndërthurura me simbolet kombëtare i punon çdo ditë në punëtorinë e saj, veçanërisht për 28 nëntorin, teksa thotë se është tejet e lumtur që ato kërkohen nga të gjitha grupmoshta, veçanërisht nga të rinjtë.

Veshjet kombëtare, me detaje të ndryshme nga trevat shqiptare, janë një pasuri kulturore dhe simbolizojnë lidhjen e fortë të shqiptarëve me traditat dhe identitetin kombëtar.

Të gjithë dyqanin e ka me veshje kombëtare të zonave të ndryshme shqiptare. 

E ngjyrat kuqezi dominojnë edhe më shumë punëtorinë e saj për Festën e Flamurit. 

“Siç po e shihni jam ende duke qepur veshje me motive kombëtare në prag të festës. Ndihem tejet e lumtur kur e di që mëngjeset i nisi herët këtu në dyqan e rrethuar me ngjyrat e flamurit e të gjitha veshjet e rajoneve shqiptare”, thekson Hoxha.

Dashuria e madhe për punën e dorës e shtyn artizanen Sevdije Hoxha që ta mbajë të hapur punëtorinë edhe më 28 Nëntor. 

Për këtë festë kombëtare, Hoxha thotë ka më së shumti prindër që kërkojnë veshje për të vegjlit e tyre. 

Për modelet e veshjeve thotë se bazohet në filmat e nëntorit. 

“Ka aq shumë kërkesa dhe organizime për festën e 28 Nëntorit, por unë përkundër kësaj me këtë datë jam gjithmonë në punëtori, sigurisht për të gjithë ata që duan të marrin veshje me motive kombëtare, por edhe më tepër nga dëshira e vullneti që e kam për këtë punë. Për veshjet kombëtare gëzohem shumë që interesohen më së shumti prindërit që duan t’i marrin ato për fëmijët e tyre. E shoh se bazohen shumë në filmat shqip që e përshkruajnë festën e flamurit, dhe në bazë të personaliteteve të filmave i kërkojnë edhe modelet”, deklaron Hoxha. 

Artizanja nga Suhareka është anëtarja e fundit e familjes që ka bartur traditën e punës së dorës. 

Thotë se hoqi dorë nga profesioni i saj për ta vazhduar punën artizanale. 

“Unë vij nga qyteti i Suharekës, ku familja ime duke nisur prej gjyshes tek nëna e anëtaret e tjera të familjes, të gjitha kanë punuar me veg. Kjo traditë është bartur brez pas brezi dhe me krenari mund të them se jam e fundit që e trashëgova punën artizanale, sepse unë me profesion jam inxhiniere e teknologjisë ushqimore, por e kam lënë veç për ta vazhduar traditën”, thotë Hoxha. 

Nuk ka gjë që e lumturon më shumë sesa të vegjlit në punëtorinë e saj. 

E për të rinjtë thotë se edhe pse bëjnë jetë moderne, ata i duan dhe i çmojnë veshjet tradicionale. 
“Në momentin që i shoh në dyqan fëmijët e vegjël teksa me të folurën e tyre të ëmbël i këndojnë këngët e flamurit, e kërkojnë veshjet apo plisin, gëzohem jashtëzakonisht shumë. Më vjen mirë që edhe mendësia ka ndryshuar. Moshat e reja nuk paragjykojnë aspak për veshjet tona. Ata edhe pse jetojnë kohë moderne e me veshje moderne, i huazojnë, i veshin e nuk kanë aspak paragjykime, prandaj ndihem krenare për ardhmërinë tonë”, tregon Hoxha.

Artizanja Hoxha tregon një nga momentet më të veçanta për të dhe babanë e saj. 

Drejt Vlorës ata ishin nisur në këmbë nga Suhareka për Festën e Flamurit. 

“Në vitin 2019 bashkë me babanë dhe profesor Behxhet Berishën jemi nisur në këmbët nga Suhareka për në Vlorë. Jam shumë e lumtur për këtë iniciativë që babai e ka marrë, e edhe më e lumtur jam që ma ka përcjellë dashurinë për kombin”, deklaron Hoxha.

Punëtorisë së saj në ditë feste, flamuri kuq e zi është një element që nuk mund të mungojë, dhe ajo e ka vendosur me krenari, së bashku me plisin, simbolin kombëtar më të çmuar për të.