Pishinë, kinema, fusha tenisi, bibliotekë e ngjarje të shumta kulturore.
Këto bashkë me lagjen e elitës, të inxhinierëve dhe minatorëve e karakterizonin Stantërgun e dikurshëm.
Skënder Idrizi është ndër banorët e lagjes angleze. Thotë se pas Luftës së Dytë Botërore kolonitë angleze u vendosën në këtë vend duke e ndërtuar atë e duke e bërë me aktivitete më shumë sesa vetë Mitrovica e viteve ‘40.
“Stantërgun para Luftës së Dytë Botërore e kanë shfrytëzuar anglezët, ata i kanë ndërtuar 3 lagje: lagjen për elitën, që quhet lagjja angleze, atë për inxhinierë, lagjja “Koloni” dhe ajo “Rashan” kanë qenë për punëtorë më të thjeshtë. Në Stantërg kanë ekzistuar: shtëpia e kulturës, biblioteka e ambulanca. Muzeu po ashtu ka qenë i pasur me kristale dhe tani ekziston, por nuk është ai që ka qenë”, deklaroi Skënder Idrizi, banor.
E banorët e mësuan notin në pishinën që sot nuk është funksionale.
“Në këtë pishinë kanë ardhur nga e gjithë Kosova për garat e notit. Të gjitha garat në nivel vendi janë zhvilluar këtu. Baseni të veçantë ka pasur trampolinën, ku ka pasur trajner që e kanë mësuar vetëm kërcimin në pishinë. Baseni për qytetarët ka qenë me pagesë, ndërsa klubet e notit pa pagesë. Uji i pishinës ka ardhur nga miniera dhe ka qenë i nxehtë. Pastrimin e pishinës ne lagjja e kemi pastruar. 20 metra e kam shtëpinë nga baseni, këtu jem rrit. Me para jem mësuar me notuar se sa me ecë, praktikisht me ujë jemi rritë. Përveç ditës basenin e kemi përdorë edhe natën. Tani vizitorë ka pak dhe më shumë janë banorët e Stantërgut ose ata që e kanë shfrytëzuar kohën kur ka qenë në funksion. Ju kisha lutur institucioneve që ta ndërtojnë që së paku të duket si basen se është e pamundur me rikthye ashtu siç ka qenë”, shtoi Idrizi.
Esat Ademi në vitin 1976 e braktisi fshatin Rashan të Mitrovicës për të jetuar në Stantërg. Atij iu mundësua banimi në këtë pjesë pasi që ishte pjesë e minatorëve të “Trepçës”. 72-vjetari është ndër më të vjetrit në Stantërg.
Dek4: Esat Ademi, banor
“Jam nga fshati Rashan, por këtu jam që nga viti 1976. Kam qenë punëtor i “Trepçës”, në Zveçan e kam përfunduar shkollën teorike dhe në “Trepçë” praktikën. Kam punuar deri në vitet ’90, kur na larguan me dhunë nga puna dhe jam rikthyer pas luftës, ku kam vazhduar punën për 5 vjet dhe jam pensionuar para kohe", deklaroi Esat Ademi, banor i lagjes.
Nga vitet ‘50 edhe familja Bekteshi u shpërngul në Stantërg.
Muhamet Bekteshi, i lindur dhe i rritur në ketë pjesë të Mitrovicës, thotë se kohë më parë ishte gjithçka më ndryshe nga e sotmja.
“Qendrën e kulturës, ambulancën kisha pasë dëshirë me i rikthye në këtë vend. Po ashtu papunësia m’u largu, pasi që ne e kemi ‘Trepçën’, ku e dimë se përpara e ka mbajtë ish-Jugosllavinë, tani nuk po mundet vetëm Kosovën. Rinia këtu është pa punë, shpresoj t’iu bëhet një zgjidhje”.
E kërkesat e banorëve nuk janë në buxhetin e Komunës së Mitrovicës, por drejtori i Urbanizmit, Edison Tërnava, ka thënë se janë duke planifikuar investime në Stantërg.