SOT

Somalezi që po promovon Prishtinën përmes TikTok-ut

Është shumë i famshëm në TikTok. Ka pothuajse dy javë që 28-vjeçari Mustafa Ahmed me prejardhje nga Somalia po e promovon Kosovën te 27 mijë ndjekësit e tij.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që vjen në Prishtinë.

Gjithçka filloi në pandemi kur, sipas tij, kishte kohë të lirë për të udhëtuar e tash siç duket kjo u kthye në një punë të dytë.

Listës së 34 shteteve të vizituara këtë muaj iu shtuan edhe vendet e Ballkanit.

Kompaninë që ka në Norvegji po mendon ta zhvendosë në Kosovë. Krejt kjo për shkak të pëlqimit të madh që ka për njerëzit e këtij vendi.

Videot me ushqim janë të preferuarat e ndjekësve të tij. Rekomandimet për të provuar diçka të re vijnë nga ata.

Flija, trileqe, hamburger e qebapë Kosove i provoi një nga një.

Me menynë e pasur që kemi, pa dyshim që i rekomanduam të provojë diçka. Furra “Prishtina” ishte lokacioni ku Mustafa do të provonte gjevrekët e famshëm.

Kurioz ishte edhe për transportin publik. Megjithatë nuk i lanë shije shumë të mirë, meqenëse nuk na u lejua që udhëtimin e parë ta dokumentonim me video.

Duke shijuar kafenë në qetësinë e parkut të Taukbahqes, ai rrëfen për destinacionet e ardhshme.

Shërbimet e ndryshme në Kosovë thotë se nuk kanë një kosto të lartë. Por një prerje flokësh prej 5 eurosh duket se po e paguan më shtrenjtë.

“Përshëndetje”, “hajde”, “Faleminderit”, “vlla” “po”, “jo”, janë disa fjalë që ka mësuar në gjuhën shqipe.

Por kjo nuk është e vetmja. Në TikTokun e tij nuk mungojnë as videot duke kërcyer valle shqiptare.

Për t’i dhënë më tepër ëmbëlsi intervistës, vizitën e radhës e bëmë në ëmbëltoren “Elida”.

“Kjo duhet të jetë akullorja më e mirë në Prishtinë”, komentoi ai.

Në çdo hap Mustafa mundohet të realizojë një video promovuese. Koha që i merr varet nga lloji i videove, thotë ai.

Sikurse vendet që i vizitoi, mbresa i la edhe intervista jonë.