SOT

Sivjet më pak rrush vendor në tregun e Kosovës

Ngricat dhe breshëri i ditëve të fundit kanë dëmtuar rëndë vreshtat në Rahovec, ku janë të mbjella mbi 2 mijë hektarë me rrush. Edhe pse ende nuk dihet vlera e dëmeve, vreshtarët kërkojnë nga institucionet relevante kompensimin e dëmeve. 

Të shqetësuar për kulturën bujqësore të vreshtarisë, vreshtarët thonë se dëmet e shkaktuara në fillim të prillit nga moti i lig mund të trashëgohen edhe vitin e ardhshëm.

Vreshtaria është puna e vetme e shumicës së familjeve në këto anë. Dhe sivjet thonë se kanë planifikuar që të marrin mijëra kilogramë me rrush nga vreshtat e tyre. 

“Nëse shikohet nga ana e vlerës monetare janë me miliona euro dëme, ndërsa nëse shikohet nga zinxhiri ekonomik me miliona euro është dëmi i shkaktuar nga ngricat e 7 prillit. Këto ngrica nuk i mbajnë mend as më të moshuarit. Edhe dëmi që është shkaktuar në këtë periudhë kohore. Vreshtaria është një kulturë specifike dhe kërkon një angazhim më të madh. Edhe kostoja e mirëmbajtjes është shumë e madhe. Presim nga Qeveria që kësaj herë të na dalin në ndihmë”, ka theksuar Habib Dina, kryetar i Shoqatës së kultivuesve të rrushit. 

Për dëmin ka folur vreshtari Behar Haxhimustafa. 

“Rrushi është bërë katastrofë, krejt është bërë i zi. Nuk ka çka... Ne si bujq presim nga Qeveria edhe Komuna të na ndihmojnë. Nga tri hektarë me rrush sivjet kam menduar të marr 30 mijë kilogramë me rrush, por janë dëmtuar shumë. Ne punojmë gjatë krejt vitit për këto vreshta. Rrushi ka shumë punë, nuk është si pemët e tjera”, ka theksua ai.

Dëmtime të mëdha kanë pësuar edhe vreshtat e Safet Abazibras. 
“I kam katër hektarë me vreshta. Këtë vit kemi pasur dëmtime të mëdha, po presim ndihmën nga Qeveria dhe Komuna. Prej vreshtarisë jetoj. Nuk kemi tjera të ardhura”. 

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, thekson se sivjet do të ketë më pak rrush nga toka e Rahovecit. 

Për vitin 2025, buxheti për sektorin e bujqësisë në Rahovec është 1.5 milion euro ndërsa presin edhe mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë për t’u dalë në ndihmë rreth 1600 vreshtarëve, të cilët janë prekur nga dëmet e të mbjellave të tyre.  

“Siç jeni në dijeni edhe ju më datat 5, 6 dhe 7 prill, temperaturat e ulëta kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësinë e Rahovecit dhe Kosovës. Me theks të veçantë e kemi vreshtarinë, e cila është goditur nga temperaturat e ulëta. Thuajse për këtë vit nuk do të kemi rrush të mjaftueshëm. Kryesisht më së shumti është goditur rrushi i tryezës, i cili ka dëmtime më të mëdha. Ndërsa rrushi që është për industri edhe mundet me shpëtu pak. Shpresojmë që të na dalë në ndihmë shteti sepse komuna nuk ka kapacitete për t’u dalë në ndihmë vreshtarëve. Me bashkëpunimin e Ministrisë së Bujqësisë mund t’iu ndihmojnë vreshtarët. Dëmet do të jenë problem edhe për vitin tjetër”, ka deklarua ai.  

Duraku thekson se ende nuk dihet vlera e dëmeve të vreshtave nga temperaturat e ulëta. 

“Kemi kontaktuar me entin e vreshtarisë dhe shoqatat e vreshtarisë, kemi krijuar komisionin dhe do të vlerësohen dëmet e vreshtarisë. Pra do të dalim në terren bashkarish do ta vlerësojmë vlerën e dëmeve”, ka theksuar ai. 

Përveç vreshtarisë edhe kulturat e tjera bujqësore janë dëmtuar nga temperaturat e ulëta. 
Gjithsej në Kosovë janë rreth 3 mijë hektarë të mbjella me rrush.