SOT

Shtimja, ndër komunat kryesuese në garat e robotikës

Udhëzimet po i ndjek në laptop.

E nga aty e vazhdon programimin që ta bëjë robotin të përshkojë një rrugë të caktuar.

Samuel Maxon është tetëvjeçari i cili programimin e ka në dëshirë që nga mosha 6- vjeçare.

“Unë merrem me robotikë qe dy vite, mua më pëlqen shumë kjo fushë. Këtu kam ardhur në Termokiss edhe duhet ta përfunojmë këtë kurs me të cilin e bëjmë robotin të lëvizë sipas programimit”.

8-vjeçari thotë se robotika i ka vështirësitë e veta, mirëpo me kalimin e kohës dhe me praktikë ia arrin të përmirësohesh.

E ndonëse ka përparësitë e tij si drejtim, Maxon nuk ua rekomandon të gjithëve, ai ka një mesazh më të mirë për bashkëmoshatarët e tij.

“Pak e vështirë por kur e bënë shumë herë, ia del. Unë nuk mendoj se krejt janë ashtu që mund të merren me robotikë, është e mirë sepse duhet të mendosh shumë dhe nëse edhe të tjerët mendojnë se është e mirë, mund t’ia dalin”.

E të njëjtin aktivitet si Maxon, po e bëjnë edhe 39 nxënës të tjerë.

Ndonëse të grupmoshave dhe vendeve të ndryshme, sfidën e kanë të njëjtë.

Mergita Alija, nxënëse e klasës së 11-të në shkollën “Gjin Gazulli”, është po ashtu garuese.

Përtej interesit të saj që ka për këtë fushë, ajo thotë se edhe shoqëria e saj çdoherë e më shumë po kanë pëlqim e dëshirë që të merren me aktivitete të tilla.

“ Po, sidomos të drejtimit tim. Në përgjithsi kanë interes në gara të tilla, mirëpo numri i personave që marrin pjesë në këtë garë është më i limituar andaj edhe nuk kanë mundur të përfshihen të gjithë. Meqë është viti i dytë në shkollë të mesme unë kam menduar me vazhdu në këtë drejtim sepse pjesët teknike, më pëlqen pjesa kur duhet me i lidh kabllot mes vete, me mikrokontroller”.

Sipas Aliut, aktivitetet e tilla që kanë për qëllim të zhvillojnë aftësinë e të rinjve në Kosovë janë shumë të rëndësishme e duhet të jenë më të shpeshta.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme sepse në çdo garë, ne i avancojmë njohuritë tonë, e në çdo garë mësojmë diçka të re. Për shembull nëse në një garë tjetër unë kam mësu për mikrokontroller, mirëpo tash në këtë garë unë kam mësuar për robotin MBot, ndoshta në garën e ardhshme do të ketë ndonjë robot edhe më të avancuar, mirëpo i ngjajshëm me MBot, pra njohuritë vetëm shkojnë duke u avancu prej se cilës garë”.

Aktiviteti është organizuar në kuadër të IPKO Foundation dhe Kosovo Makers League.

Përgjegjësja për komunikim në IPKO Foundation, Artinë Muçiqi thotë se eventi është finalja e garës së robotikës. Ajo thotë se pjesëmarrësit e shumtë dëshmojnë për suksesin e aktivitetit.

“Gjithçka po shkon tepër mirë. Nuk është çështja vetëm tek ana e planifikimit por edhe në anën tjetër jemi shumë të lumtur kur sheh kaq shumë pjesëmarrës, kaq të rinj e kaq entuziast me shumë vullnet për të marrë pjesë në këtë garë të robotikës dhe për t’i ekzekutuar sfidat që i kanë”.

Muçiqi bënë një dallim edhe në pjesëmarrjen sa u përket komunave, dukë veçuar atë të Shtimes si kryesuese.

“Kjo në fakt është befasuese sepse për shembull e kemi komunën e Shtimes, e cila është kryesuese në garën e robotikës, sepse pothuajse në çdo edicion të kësaj gare kemi shkolla fituese nga kjo komunë. Ndërsa në tërë garën në këtë raund special kemi pasur 24 shkolla nga 24 komuna”.

Bashkëpunimet për aktivitete të tilla nuk kanë ndërmend t’i ndalojnë. Sipas përfaqësuesve për sa kohë që qëllimi është i mirë bën që të arrihet edhe efektiviteti.