SOT

Shtigjet e biçikletave në Podujevë, jofunksionale

Të shumtë janë ata që biçikletën në komunën e Podujevës, po e përdorin si mjet transporti.

Së fundi me rekonstruktimin e disa prej rrugëve kryesore të qytetit, komuna ka përfshirë edhe ndërtimin e shtigjeve për biçikleta.

Mirëpo të njëjtat nuk po përdoren për këtë qëllim.

Shumicën e kohës ato janë të zëna nga veturat, e kjo gjë po ua pamundëson shfrytëzimin e tyre.

Të njëjtit po detyrohen që biçikletën ta ngasin në rrugët të cilat kanë të destinuara për vetura.
Me këtë rast po rrezikohet edhe jeta e tyre.

Shefqet Miftari, qytetar, thotë se komuna ka bërë mirë që ka vendosur shtigje, mirëpo ato duhet liruar edhe nga parkimi i veturave.

“Këtu është problemi i veturave që parkojnë në shtigje të biçikletave ky është një gjest jo i mirë nga ngalësit e veturave. Përveç çiklistëve po i pengojnë edhe personat me nevoja të veçanta. Policia po shkruan dënime gjatë gjithë kohës por vetë qytetarët janë të papërgjegjshëm. Kjo është një punë e mirë e bërë nga komuna, së pari për shkak të komunikacionit. Unë biçikletën e përdori vetëm për qejf. Të njëjtit sistem e bëjnë edhe me personat me aftësi të kufizuara, që ua zënë vendet e destinuara edhe për ta”, thotë Miftari.

Edhe pse vetë nuk është përdorues i shpeshtë i biçikletës, Kadri Behrami thotë që parkimi i veturave, po e pamundëson përdorimin e biçikletës.

“Unë jetoj këtu ne qendër të qytetit dhe biçikletën e shfrytëzoj shumë pak, edhe pse është gjë shumë e mirë ngasja e biçikletës edhe për shëndet. Mirëpo mund të them që ky është një punë e mirë e bërë nga komuna. Në shumë pjesë të qytetit që i kanë vendosur shtigjet, unë po e shoh që po pengohen nga veturat ngasësit  e biçikletave. Kësisoj po rrezikohen edhe qytetarët, të cilët lëvizin me biçikletë këtej”, deklaron Behrami.

Drejtori për Shërbime Publike në komunën e Podujevës, Bahri Selimi thotë që vazhdimit kontaktojnë me policinë për lirimin e shtigjeve, por pa sukses.

“Ne kemi bërë fushatë e edhe thirrje përmes rrjeteve sociale dhe mediave që shtigjet të përdoren për atë se për çfarë janë të dedikuara, mirëpo ndoshta këtë po e bënë edhe mungesa e hapësirave të mjaftueshme në komunën tonë, po bënë që këto shtigje të përdoren edhe si vend parkim për vetura. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me stacionin policorë në Podujevë ku pothuajse çdo ditë kontaktojmë me ta dhe iu bëjmë thirrje që t’i pastrojnë shtigjet nga veturat. Të them të drejtën nuk po bëhet mjaftueshëm në këtë drejtim”, thekson ai.

Selimi e pranon që rrugët në qytet janë të ngushta dhe kësisoj po bëhet kaos me vetura në shtigjet e biçikletave, duke mos harruar faktin që në këtë komunë ka edhe mungesë të parkingjeve për automjete.

“Rrugët e ngushta ne i kemi gjetur kështu dhe kjo problematikë është e kahershme. Ne po përpiqemi ta bëjmë zgjerimin e rrugëve mirëpo po hasim në konflikte pronësore. Parkingje nuk ka mjaftueshëm në Podujevë, ne disa rrugë i kemi shenjëzuar për parking të automjeteve. Por ne kemi edhe parkingje private që iu mundëson parkimin. Mirëpo ne e kemi edhe një dëshirë të çuditshme, kemi qejf që ta parkojmë veturën sa më afër objektit ku kemi për të kryer punë, e mandej kjo po e bënë këtë kaos. Policia po e kryen punën e vetë aq sa ka mundësi”, deklaron ai.

Rrugët “Hafik Zejnullahu”, “Skënderbeu”, “Xhemajl Mustafa”, dhe të tjera janë pajisur me shtigje të biçikletave së fundmi.