SOT

Shkrimet e 13-vjeçares, letërsia si thirrje për më pak rrjete sociale

Ambientet e shkollës “Pjetër Bogdani” nuk i shfrytëzon vetëm gjatë orëve mësimore. 

Aty, edhe pas mësimit, qëndron nxënësja e talentuar Nahar Rrmoku nga Prishtina.

Ajo është vetëm 13 vjeçe, por ka botuar tashmë dy libra: “Përrallat magjike” dhe “Unë”. 

Në librin e saj më të fundit Nahari trajton edhe temën e përdorimit të rrjeteve sociale, përmes një thirrjeje të sinqertë drejtuar moshatarëve të saj që t’u kushtojnë më pak kohë atyre dhe të jetojnë më shumë në realitet. 

“Arsyeja pse kam vendosur që në librin tim të fundit ta përfshij një shkrim që flet për rrjetet sociale është fakti se ato po na bëjnë të qëndrojmë larg realitetit të jetës. Si të rinj jemi duke parë shumë përbajtje, të cilat nuk janë për t’u parë, andaj kam dashur ta drejtoj si mesazh për të rinjtë që sa më pak të qëndrojmë të kyçur në rrjete sociale dhe ta jetojmë jetën reale”, thotë ajo.

Librin e parë Nahari e botoi që në klasën e gjashtë. 

Ajo synon që shkrimet e saj t’i dedikojë për të gjitha grupmoshat, ndërsa tregon se një ndër motivet më të forta për të shkruar ishin veprat e autorit të njohur Ismail Kadare.

“Shkrimin e kam filluar qysh në moshë të vogël. E doja gjithmonë dhe kisha pasion për të shkruar. Gradualisht nisa edhe me leximin e veprave të autorit të ndjerë Kadare, të cilat më bën ta shoh veten si një autore e ardhshme, andaj edhe mora hapin. Në fillim sigurisht që shkrimet nisën për moshën time, por kam dëshirë që në vazhdim të shkruaj për secilën moshë”, thotë Nahari.

Librin e fundit e ka titulluar “Unë”. 

Këtë titull, siç thotë, e kishte të qartë që në fillim, pasi dëshironte të pasqyronte ndjesitë dhe brengat që karakterizojnë moshën e saj. 

“Pjesa më e vështirë për mua si autore thuajse gjithnjë është vendosja e titullit të librit. Por në këtë rast ka qenë krejt e kundërta. Që në vargjet e para thuajse e kam ditë si do ta ketë titullin libri im. E kam titulluar ‘Unë’, sepse kam dashur që në këtë libër të flas për veten e të flas për brengat që i ka mosha ime, ku pra e gjejnë veten bashkëmoshatarët e mi”, shton Nahari. 

Ndër shkrimet më të veçanta për Naharin mbetet ai që ia ka kushtuar “mbretëreshës” së saj – nënës, siç e quan ajo me dashuri.