SOT

Shkrepjet e kanadezit në luftë, ekspozitë në Gjilan

Edhe vetë e ka pasion fotografinë, por në qytetin e tij të lindjes, në Gjilan, Milaim Grabovci hapi ekspozitën me fotografitë e shkrepura 23 vjet më parë nga një hetues kanadez.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, një takim rastësor i tij me një gazetar të huaj bëri që historia e masakrës së Llashticës të zinte vend në ballinën e gazetës prestigjioze “The Washington Post”.

Profili i 14-vjeçares, Vlora Shabani, me shenjën e plagës në fytyrë në gazetë, pasqyronte tragjedinë për atë që ndodhte në atë kohë në vendlindjen e saj.

Hetuesi kanadez gjatë kësaj kohe kishte arritur ta ruante çelësin e shtëpisë së Vlorës, së cilës ia ktheu 2 vjet më parë, e po ashtu është pjesë e ekspozitës.

Një tjetër histori është edhe rrëfimi i 6-vjeçares Blerina Hyseni, e cila kishte treguar momentin e humbjes së më të dashurve pranë syve të saj.

E gjithë kjo ekspozitë nisi nga iniciativa e Milaimit përmes fotografive të ardhura nga Amerika, e në hapjen e saj të pranishme kishin qenë edhe vetë Vlora e familjarët e tjerë që kishin qenë pjesë e masakrës.

Milaimi ka ruajtur edhe disa shkrime që i kishin ardhur nga reporteri kanadez pasi që e kishte publikuar shkrimin si shenjë falënderimi për atë që i kishte treguar se çfarë ndodhte në luftë, në fshatin Llashticë.

Ata po ashtu edhe në ditën e hapjes së ekspozitës kishin qenë të pranishëm përmes letrave që u kishin dërguar të gjithë të pranishmëve dhe familjarëve të viktimave të masakrës së Llashticës.