Zvicra është një shtet që i ofron mirëqenie secilit e ku banorët e saj mund t’i përballojnë pushimet gjithandej nëpër Evropë.
Por si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Fatmir Hoti, kur niset nga Zvicra ka një destinim. Ai në Krushë të Madhe, aty ku ka lindur, vjen 4 deri 5 herë në vit.
I lindur në një familje intelektuale dhe patriotike, Fatmiri shkollimin e ka pasur prioritet gjithë jetën.
“Gjendemi para shkollës fillore “Bajram Curri” në Krushë të Madhe, këtu e kam përfunduar shkollimin fillore si dhe dy vite të gjimnazit. Ne jem 9 fëmijë, ku të 9-it jem shkolluar në këtë shkollë dhe suksesi jonë ka qenë shembullor. Nga familja ime kem inxhinier, doktor, profesor etj. Kurse unë pas mbarimit të gjimnazit e kam vazhduar shkollën e mesme në Prizren në degën e mjekësisë, ku e kam përfunduar me sukses. Pastaj kam vazhduar në universitetin e Prishtinës drejtimin e kimisë dhe difit. Ishte koha që të shkoj në mërgim por unë nuk jam ndalur me shkollim as në Zvicër”, thotë Hoti.
Fatmiri nuk i është ndarë fushës së mjekësisë asnjëherë ku vazhdon të punojë edhe sot si menaxher i produkteve mjekësore për tregun e Zvicrës.
“Në vitin 1987 në Zvicër shkova si student, më ftoi një shok të punoj në një firmë deri i rregullova dokumentet. 11 vite kam punuar në spitalet e Zvicrës në disa reparte. Gjatë asaj kohe e kam kryer bachelorin në drejtimin e higjienës si specialist i higjienës ku në vitin 2005 kam diplomuar në Cyrih. Në vitin 1999 mbyllet spitali ku kam punuar dhe filloj punën në një kompani tjetër. Nga viti 2000 deri tash kam kryer shërbime të ndryshme në repartin e farmacisë dhe repartet në spitale kurse që 13 vite e udhëheqin repartin e mjekeve të përgjithshëm dhe atë dental”, tregon Hoti.
Të bësh karrierë në një shtet të huaj nuk është e lehtë, por afiniteti për të mësuar gjuhën shpejt i ka ndihmuar atij shumë.
“Lehtë nuk ka qenë por dëshira e madhe që ta vazhdoj traditën krushjane, traditën e familjes që është shkollimi. Babai gjithmonë më thoshte o bir t’i hap rrugët, njeriu pa shkollë mbetet aty ku është. Kjo ka qenë arsyeja që nuk jam ndalur asnjëherë, çdo herë jam shkolluar kam marrë pozita të larta. Prej vitesh unë shkolloj-ligjëroj në lëmin e higjienës nëpër spitale të ndryshme, në ligjërata flitet për kujdesin e higjienës p.sh mbrojta nga Covid-19, e sëmundje të tjera ngjitëse. Nga kjo jap certifikata të pranishmit marrin diplomë”, thotë Hoti.
Në familjen Hoti të Krushës së Madhe, shkollimi për gjithsecilin ka qenë jo vetëm ambicie personale, por edhe një mision i vënë si standard nga të parët e tyre. Këtë e mban mend edhe profesori Sokol Haziri.
“Familja Hoti kanë qenë nxënës të shembullor, kanë qenë të edukuar nuk kanë sjellë asnjëherë probleme. Jo vetëm unë port ë gjithë kanë përshtypje të mira për familjen Hoti. Nuk mundesh me dalluar se cili ka qenë më I mirë se të gjithë relativisht kanë qenë të mirë. “kanë pasur përherë edukatë qytetare, patriotike kanë pasur qëndrim korrekt, të shoqëruar me shok-shoqe. Besoj edhe gjeneratat e reja kanë trashëguar ketë sepse nuk kanë si sit ë dalin më ndryshme nga prindërit e tyre”, tregon Haziri.
Misioni i tij ka qenë që fëmijët të shkollohen, po ashtu, gjë që ia ka dalë mbanë.
“Ne si shqiptar krenohemi shumë me të arriturat e fëmijëve, jam i martuar që 32 vjet i kem 4 fëmijë. Djali i madh është 31-vjeçar ka kryer fakultetin e ekonomisë, profesioni i tij është ekonomist dhe punon në një kompani të njohur, njëra vajzë ushtron profesionin e shitje-blerjeve të ndërtesave ndërsa tjetra punon si menaxhere për sigurime në një kompani dhe djali i vogël është në gjimnaz”, vazhdon rrëfimin e tij Hoti.
Kur arrin në Kosovë, ndien obligim t’i vizitojë varrezat e dëshmorëve aty ku pushojnë eshtrat e familjarëve të tij të vrarë në luftë.
“Kontaktet me Kosovë nuk I kam ndalur kurrë, unë nuk e shoh vetën me emrin mërgimtar, unë vijë në shtëpinë time, vijë në vendlindjen time. Takohem me vëllezër, kushërinjtë me të gjithë. Në Kosovë vijë 4-5 herë në vit. Më pëlqen Kosovë ka shumë gjera të bukura. Në Kosovë vijë me zemër së pari e takoj nënën e cila është 90 vjeçare, pastaj shkoj te varrezat e babait, nipit vëllait, shkoj edhe te varri i Ukshin Hotit dhe vëllai i Ukshin Hotit si dhe familjarë të tjerë. Nuk mundem të shkoj diku tjetër pa i vizituar varrezat”, thotë Hoti.
Fatmiri e shumë kosovarë të tjerë që ndajnë fatin e njëjtë, ndërtuan jetën e karrierën e tyre larg shtëpive e vatrave familjare, por thuajse të gjithë kanë një të përbashkët. Ai është malli për atdheun e tyre. Mund të shëtisin e bredhin rrugëve të botës, por vizitën në vendlindje e konsiderojnë si një pelegrinazh shpirtëror i cili i përmbush për të vazhduar tutje.