SOT

Shkollat profesionale parapërgatitin nxënësit për studime e treg të punës

Shkolla e mesme profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren, me rreth 650 nxënës dhe pesë drejtime profesionale, po i ndihmon të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në tregun e punës.

Blendjan Ajazaj, Dorarta Qollaku dhe Elmira Kryeziu – të gjithë nxënës të klasës së 12-të – thonë se përmes kësaj shkolle kanë marrë njohuri të thella teorike dhe praktike, që u japin siguri për të zgjedhur drejtimin e së ardhmes.

Drejtimet që ata synojnë të ndjekin në studime të larta përfshijnë agrobiznesin, ekonominë dhe juridikun – profile këto që janë gjithashtu të kërkuara në tregun e punës.

“E kam zgjedhur këtë drejtim sepse më pëlqen edhe si punë. Praktiken e bëjmë edhe në shkollë duke e ruajtur ambientin e shkollës. Më pëlqen më shumë të mbjelli lule. Në fillim nuk kam pasur njohuri sesi mbillen lulet e tash di. Për të mbjell një lule duhet hapur një grip, e ujitim me ujë, e pluhurosim pastaj e mbjellim lulen dhe e mbulojmë me dhe”, thekson Azizaj. 

Nxënësja Dorarta Qollaku thotë se në këtë kabinet e bëjnë praktikën. “Pra atë që e mësojmë në teori e praktikojmë këtu, por edhe jashtë shkollës, në biznese të ndryshme. Unë jam në sektorin e kontabilitetit, të cilin do ta vazhdoj edhe në fakultet. I bëj thirrje nxënësve të klasave të 9-ta, të cilët e pëlqejnë këtë drejtim, pse të mos e zgjedhin shkollën tonë”, deklaron ajo. 

Nxënësja Elmira Kryeziu thotë se e ka zgjedhur këtë drejtim sepse aty e gjen veten. 

“Gjatë këtyre viteve kam mësuar shumë, e të cilat nuk i kam ditur për drejtimin e juridikut. Besoj që të ardhmen do ta studioj juridikun. Planifikoj të jem police e krimeve të rënda, më pëlqen ky profil. Nxënësve të klasave të 9-ta u kisha thënë se më mirë t’i zgjedhin shkollat profesionale me drejtime që i doni, sepse e mësoni bazën e profilit me shkollë të mesme”, deklaron ajo.

“Profesori i Agrobiznesit, Sefer Pulaj, thekson se mësimdhënia e tij përfshin edhe pjesën praktike, ku nxënësit aplikojnë njohuritë në terren”.

“Në profilin Agrobiznes, praktikat mbahen që nga klasa e 10-ta. Në klasën e 10 nxënësit e këtij profili mbajnë 6 orë praktikë, klasën e 11-të, nxënësit mbajnë 9 orë praktikë brenda shkollës dhe jashtë. Dhe në klasën e 12-të, 6 orë praktikë mbahen në shkollë dhe 6 të tjera jashtë shkollës. Në klasën e 10-të nxënësit marrin njohurit bazike pastaj në vitin e fundit ata pavarësohen dhe janë të gatshëm për tregun e punës”, deklaron Pulaj.

Drejtoresha e shkollës, Myvedete Gavazaj, nënvizon rëndësinë e mësimit dual, i cili i pajis nxënësit me aftësi praktike për tregun e punës.

“Çdo vit kem rritje të numrit të nxënësve, për arsye se po kërkon tregu i punës. Profilet që i kem ne, i aftësojnë nxënësit për treg të punës”, thekson Gavazaj.

Shkolla e mesme profesionale “Ymer Prizreni” ofron pesë drejtime: ekonomi, juridik, agrobiznes, teknologji ushqimore dhe hoteleri-turizëm.

Më 25 prill, nxënësit dhe stafi akademik do të festojnë 80-vjetorin e themelimit të kësaj shkolle.