E njihte nga afër, e madje kishte pasur bashkëpunim tejet të ngushtë me të.
Sot e asaj dite thotë se i mungon dhe e vështirë është të kesh dikë në rrethin shoqëror siç ishte heroi i kombit, Zahir Pajaziti.
Sot Naim Bajrami udhëheq shkollën që mban emrin e heroit në fshatin Orllan.
Bajrami thotë se përveç si luftëtar në Llap, Zahiri njihej si njeri i dedikuar në arsim.
Brenda shkollës është ndarë një hapësirë e veçantë si muze.
Aty mes fotografive qëndron edhe ditari me notat shembullore të nxënësit të fundviteve ‘60, Zahir Pajaziti.
Muzeu ka pak kohë që ka filluar të funksionojë si i tillë, andaj ende ka nevojë që të shtohen artefaktet dhe detajet antike, por synimin kryesor po e arrin, atë që gjeneratat e reja të kujtojnë përjetimet e së kaluarës.
Medina Zuka është një nga nxënëset e shkollës, e cila thotë se ky ditar i motivon dhe i bën krenarë që vijojnë mësimin në shkollën e heroit.
Ajo tregon se me lëndën e historisë kanë mësuar shumëçka, por ndihmesë të madhe po ofron muzeu i shkollës.
Heroi Zahir Pajaziti ishte një ndër ideatorët e parë të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me prejardhje nga fshati Orllan i Podujevës.
Pasi që kreu shkollën e mesme, në vitin 1981 ai bëhet student i gjuhës angleze në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Zahir Pajaziti u vra më 31 janar derisa po udhëtonte nga Prishtina drejt Vushtrrisë bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.