SOT

Shitoret e vogla drejt shuarjes nga konkurrenca e marketeve

Ka tash e 20 vjet që çdo ditë e hap dyqanin në kohën e njëjtë e në lokacionin e njëjtë.

Naim Krasniqi është 58-vjeçari i cili la Zvicrën e u kthye në Kosovë për të vazhduar jetën këtu.

Sipas tij, për familjen Krasniqi, dyqani në qendër të Prishtinës është i vetmi burim i të ardhurave.

“Unë jam kthyer në vitin 2001 prej Zvicrës dhe kështu ja kam filluar punës diku nga muaji mars, në atë kohë i kisha fëmijët e vegjël dhe u detyrova të tërhiqem se nuk mundesha me i mbërri të gjitha, kështu që nja pesë vjet ose gjashtë kam pauzuar. Ndërkohë nga viti 2011 punojmë këtu unë, gruaja dhe djali, pra është një biznes familjar.”

Ai thotë se ndonëse dyqanin e ka në qendër, puna më e madhe i vjen nga kalimtarët.

Kjo, pasi qytetarët blerjet e mëdha i bëjnë në markete më të furnizuara, e nga dyqani i tij kalojnë vetëm për blerje të shpejta.

“Një fjalë e urtë thotë ‘Peshku i madh i ha të vegjlit’. Unë këtu punoj me gruan e me djalin dhe asnjëri nuk mundemi me e nxjerrë një rrogë, një rrogë 200 euro, nuk ka ndodhë. Por po duhet këtu, ma mirë thonë të punosh badihava, sesa të rrish badihava’, sepse nuk ke si t’ia bësh ndryshe”, shtoi tutje Krasniqi.

Duke marrë parasysh edhe dëmin që e ka shkaktuar pandemia, pronari thotë se janë para falimentimit.

“Vetëm puna e djalit, se nuk e kisha mbajt këtë lokal” thotë ai. “Gjatë pandemisë, çka me të thanë, shkatërrim ajo është në krejt botën por neve na ka zënë të lodhur, edhe kështu jemi të lodhur si shtet po edhe si biznese. Tash këto bizneset e mëdha kanë punë dhe është normale që edhe njerëzit janë orientuar atje, kurse këtu blejnë vetëm kalimtarët. Jemi para falimentimit, do të thotë unë vetëm puna e djalit, se nuk e kisha mbajt këtë lokal, është humbje kohe.”

Dy herë më i vjetër se dyqani i Krasniqit, është dyqani i Defrim Hasanit.

Ai thotë se ka mbi 40 vite që familjarisht punojnë me këtë biznes.

Marketet e mëdha e Qendrat Tregtare ua kanë vështirësuar punën marketeve në lagje, thotë Hasani e ai shton se rruga kalimtare i ndihmon në mbajtjen e biznesit.

“Po, marketi jonë zanafillën e ka shumë të hershme, prej viteve 82-83. Më herët e kemi pas në Breg të Diellit, pastaj kjo pikë është hapur më vonë, diku prej viteve 90 ashtu”.

Faton Berisha flet për sfidat që i kanë kaluar deri në mbajtjen e shitores për kaq vite, duke treguar se lënda e parë e miellit e pemët e perimet e freskëta janë ato për të cilat klientët i ka të rregullt.

“Ne si biznes familjar kemi vendos me e hapë në 1993 dhe punojmë tash e tutje si zinxhir familjar. Nga kjo varemi e gjithë familja. Nga qyteti vijnë sepse jemi të njohur për miell, edhe për kualitetin e pemëve e perimeve.”

Mendimit të dy të parëve i bashkohet edhe Berisha. Sipas tij, krahasuar me vitet e mëhershme puna ka rënë si shkak i marketeve të mëdha.

“Po na pengon në punë, tash janë nda në klasa njerëzit, fshatarët shkojnë në markete të mëdha a qytetarët vijnë tek ne për shkak të cilësisë”, deklaroi Faton Berisha.

Në mundësi të zgjedhjeve, qytetarët thonë se kur kanë të bëjnë blerje me shumicë, shkojnë në hipermarkete, ndërsa për blerjet ditore i frekuentojnë minimarketet.

Përveç hipermarketeve e shitoreve në lagje, qytetarët shfrytëzojnë edhe tregjet e qytetit sidomos për blerjen e pemëve e perimeve, kjo për shkak të freskisë që ofrohet aty.

Por, ka diçka që zejtarët e vjetër e kanë dhe me të cilën u bëjnë konkurrencë bizneseve të mëdha. Ata vazhdojnë të kenë fletoren për të marrë “veresi”.