Të vegjlit e kopshtit “Yllkat” me padurim e presin çdo ditë takimin me edukatoren Samire Jupolli.
Në pamundësi për të folur e dëgjuar, Samirja shpjegon mësimet për fëmijët me anë të gjuhës së shenjave.
Ditët e javës, muajt e vitit, stinët, anëtarët e familjes e alfabeti janë vetëm disa prej gjërave që të vegjlit i mësojnë nga edukatorja Samire në gjuhën e shenjave.
Pas saj, pa përtesë fëmijët i përsërisin fjalët e i lëvizin duart.
Sipas edukatores, ora e gjuhës së shenjave zgjat deri në 30 minuta.
“Prej ditës së hënë deri të shtunën punoj me grupmoshat 5 dhe 6. Ditën e martë punoj me 4 dhe 5-vjeçarët, kurse të mërkurën me moshat 3 dhe 4. Ata janë më të vegjël. Të enjten merrem me planprogramin tim, kurse zakonisht të premten kemi zgjedhur të bëjmë kuize të ndryshme me gjuhën e shenjave dhe garojmë përmes lojës. E fëmijëve u pëlqen shumë kjo. Ajo që kanë mësuar së pari është përshëndetja ‘Mirëmëngjesi’ pastaj ditët e javës, stinët e tash kemi arritur te familja, pemët, perimet. Fëmijët që kanë vështirësi ua përsërit derisa të kuptojnë”, tha Jupolli.
Samirja thotë se nëse te ndonjëri vëren potencial më të lartë është e gatshme t’i ndihmojë edhe në mësimin e gjërave shtesë.
Shton se 5-vjeçari Dielli ka arritur të mësojë më shpejt e suksesi i të gjithëve e bën të ndihet krenare.
“Pavarësisht që janë të vegjël unë mundohet t’ua mësoj gjuhën e shenjave, sepse në të ardhmen ata mund të bëhen interpretues të mirë, të punojnë në televizion e institucione publike e private. Unë ua ofroj. Nuk i detyrojmë fëmijët ta mësojë këtë gjuhë”, tha Jupolli.
Mbi 14 vjet përvojë në këtë kopsht, Samirja thotë se u falënderohet kolegeve e drejtoreshës. Shpreh se edhe ato tash e kanë mësuar gjuhën e shenjave.
E para e kopshtit thotë se është kënaqësi të punosh me një edukatore të tillë.
“Ne jemi me fat që punojmë me një edukatore si Samirja. Edhe ne e kemi mësuar gjuhën e shenjave. Në fillim jam ndier keq nëse nuk e kam kuptuar. Gjithashtu kur ajo nuk më kuptonte mua, unë doja që Samirja të ndihej tamam pjesë e stafit”, tha Rifadije Sopi.
Pas përfundimit të kopshtit, në pushime verore fëmijët përsëri e vizitojnë edukatoren Samire.