SOT

Sabri Kelani, dikur mësimdhënës, tash fermer i dalluar

Fshati Vranidoll njihet për kulturat e ndryshme të bujqësisë. Sabri Kelani është ndër fermerët më të zellshëm në këto anë. Ai kujdeset për krerë me lopë, pula si dhe të mbjellat e tij

Vullneti për punën e bën Sabri Kelanin që të zgjohet në orën 5 të mëngjesit për t’u kujdesur rreth punëve të fshatit.

Fermeri nga fshati Vranidoll i Prishtinës çdo ditë pranon kërkesa të shumta për qumësht, djathë, mazë, vezë e produkte të tjera bujqësore.

Prishtinasit janë myshterinjtë e rregullt të Kelanit.

në 5 të mëngjes, dalë nëpër oborr shkoj te lopa i kryej punë sikurse janë pastrimi, ushqimi, mjelja etj. Për çdo ditë shumë persona vijën nga qyteti për të blerë qumësht, djathë, mazë. Kam kërkesa të shumta nga vende të ndryshme. Kam edhe pula kujdesem për to nga mëngjesi, vezët e tyre i shes po ashtu kam kërkesa të shumta nga myshterinjtë e Prishtinës”, ka thënë Kelani.

Atë e çudit fakti që në fshat nuk merren me blegtori. I paktë është numri i fermerëve dhe i bujqve.

“Në fshat nuk po mbajnë as pula as lopë po çuditna shumë me këta njerëz qysh me jetuar në fshat e mos me mbajt asgjë. Jo për trego por për familje tënde është mirë me pas ndonjë lopë, pulë. Unë të gjitha i kam natyrale, në familjen time nuk ka asgjë nga maketet”, ka shtuar ai.

Ai merret edhe me bujqësi. Në tokën e tij prej 2 hektarësh mbjell pemë, perime e drithëra.

Tregun për të mbjellat e tij nuk e ka të sigurt, por Kelani thotë se mjafton që në shtëpinë e tij të ketë gjithçka natyrale.

“Një serë e kam fituar nga donatorët austriak. Në këto 10 ari mbjelli tranguj, speca, domate, sallata, spinaq e lule. Sa jem përgatit për treg për mi dërguar na ka munguar tregu as nuk është paguar ajo që kem menduar që kem me fituar nga bujqësia. Unë punoj për anëtarët e familjes time edhe ata edhe pse janë të angazhuar secili nëpër punë më ndihmojnë shumë”, ka thënë ai.

Fermeri tregon se nuk është i kënaqur për mbështetjen institucionale.

“Në përgjithësi mirë është por në aspektin e ndihmave nga Ministria dhe Komuna nuk kem mbështetje të mjaftueshme më shumë nga donator të jashtëm. Me pas kushte më të mirë kam më shumë vullnet me punuar”, është shprehur ai.

I ka 72 vjet dhe ndihet mirë me shëndet. Thotë se angazhimi në punët e fshatit e kanë ndihmuar atë që të mos ketë ndonjë sëmundje.

Fshatin nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër, thotë ai.

“Me më thënë shko jeton në qytet nuk shkoj. Në banesë më duket sikur në burg me shku, ndoshta dikush e pëlqen qytetit por unë jo. Unë asnjëherë nuk shkoj te mjeku nuk përdori asnjë lloj të medikamenteve. Në pleqëri shumë persona ankohen unë jo. Në pushim shkoj në deti dhe banja bashkë me bashkëshorten. Ndihem me mirë”. Vullneti i punës mban të shëndetshëm, më mirë me punuar në fshat se sa me ndjek ushtrime nëpër spitale”, ka thënë Kelani.

Sabri Kelani ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe, ndërsa pas pensionimit u përkushtua më shumë në punimin e tokës, si dhe kujdesin ndaj lopëve e pulave.

“Unë pensionimeve ju kisha thënë për ata që kanë mundësi mos ti lënë punët me thënë dola në pension tash çka me bo, por te nisin një jetë të re, le të angazhohen në punë. Nuk e dimë sa kem me jetuar më mirë të punojmë sat ë jetojmë. Unë personalisht nuk e ndjej vetën të lodhur asnjëherë. Unë punoj sa te kem mundësi. Ka thënë “Naim Frashëri”, punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë. Pa punë nuk ka asgjë. Kafen e pijë shpejt e dalë në punë, çuditem me të tjerët që kohën e qojnë në kafe e çajtore. Nuk pihen 20 çaja në ditë por të punojnë se ajo ju mban në formë”, ka shtuar ai.

Sabri Kelani është shembull se si pavarësisht moshës dëshira dhe vullneti për punë nuk reshtin asnjëherë.