SOT

Rugova pa vizitorë, bujtinat drejt mbylljes

Rrethina e Pejës është një nga pikat kryesore të turizmit malor në Kosovë. 

Mu në mes të këtyre maleve tash e shumë kohë kosovarët kanë ndërtuar bujtina duke munduar që ta zhvillojnë edhe më shumë turizmin malor në vend.

Mirëpo, bujtinat po rrezikojnë mbylljen.

Ylber Rudi, sipërmarrës, thotë se pas liberalizimit të vizave numri i vizitorëve në këtë pjesë është dukshëm më i vogël. 

“Këtu jam pothuajse qe tri dekada, jam ndër të parët. Kemi ardhur këtu me një vizion që ta zhvillojmë turizmin dimëror në malet e Rugovës. Meqenëse kam qenë edhe profesor i kulturës fizike, jam munduar që sportin ta inkorporoj në çdo gjë që jam marrë. Sa u përket vizitorëve, mund të them lirisht që kemi rënie të madhe këtë vit, mirëpo edhe vitin e kaluar, por sivjet rënia e vizitorëve është shumë e theksuar dhe pak a shumë neve na ka qitur në lajthitje se a mund ta vazhdojmë më punën me këtë veprimtari. Natyrisht mbështetja institucionale po mungon dhe kësisoj shumica prej bizneseve, jo vetëm unë, do të detyrohemi ta mbyllim këtë aktivitet. Unë mund ta cek që përreth meje shumica i kanë mbyllur bujtinat, përveç meje dhe dy vëllezërve të mi që po mundohemi”, theksoi ai.

Thotë se dy vjetët e fundit në bujtinat e tij kanë dominuar vizitorët nga Arabia Saudite e më pak ata nga vendet evropiane.

“Turistët këta dy-tre vjetët e fundit i kemi asi që vijnë nga Arabia Saudite, por sivjet edhe numri i tyre ka rënë, siç edhe po shihet. Por, kemi turistë që janë dominues, janë edhe kosovarë. Po shihet që liberalizimi i vizave e ka bërë të veten e duhet ta theksojmë që vizitorë nga Shqipëria kemi shumë pak, edhe pse kemi një lloj marrëveshjeje që ne të jemi në det atje verës dhe ata të jenë këtu në dimër, kjo gjë nuk po ndodh”, tha Rudi.

Rudi shtoi se nuk ka më vizitorë që qëndrojnë me javë, por se vizitat janë shndërruar në ditore ose në vikend. 

“Më herët turistët qëndronin më gjatë këtu. Një pjesë prej tyre kanë ardhur pasi kanë vuajtur prej sëmundjeve të ndryshme dhe me sugjerim të mjekëve kanë ardhur këtu dhe kanë qëndruar me javë, mirëpo optimalja është 21 ditë. Asi vizitorë nuk kemi më tashmë, ka ndryshuar më shumë, është fokusuar turizmi i vikendit por edhe ditor. Kemi turistë që vijnë edhe me familje, por edhe individuale”.

Skënder Thaçi, kryetar i Shoqatës së Turizmit Malor, numëron disa nga arsyet që, sipas tij, po i mbajnë larg turistët nga Rugova. Një prej tyre është infrastruktura rrugore.

“Duhet shteti të investojë në infrastrukturën rrugore së pari, për energjinë elektrike dhe gjërat elementare që ka mungesë kjo zonë. Në këtë aspekt ka çalim. U bë 25 vjet që nga çlirimi i Kosovës dhe Rugova po vuan me mungesën e energjisë elektrike që ne vuajmë për të. Problemi i dytë është rruga Pejë- Kuqishtë, është shumë e shkatërruar dhe njeriu duhet të ketë shumë vullnet që të marrë rrugën dhe të vijë këtu për t’u relaksuar dhe për t’i shijuar këto mrekulli. Problemi me ujin e pijshëm dhe me ujërat e zeza gjithashtu”, tha Thaçi.

Sipas Thaçit, Kosova nuk po bën promovim të turizmit ashtu siç është duke bërë Qeveria e Shqipërisë.

Rugova është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare.