Atë që e nisi si punë verore në verën e vitit 1978 iu kthye në profesionin më të dashur për të.
Bëhet fjalë për rrobaqepësin Agim Krasniqi, i cili për mbi 40 vjet e ushtron zejen e rrobaqepësisë.
I lindur në një familje zejtarësh, Krasniqi tregon se si nisi dashuria e tij për profesionin që e ushtron që nga fëmijëria.
‘’Rrjedh prej një familje zejtare mirëpo nuk e kam trashëgimi rrobaqepësinë vëllai im punonte si mekanik ai u shoqërua me mjeshtrin tim Ymer Ymeri edhe e pyeti atë, e kam një vëlla që dëshiron të merret me zanat, kur erdhi vëllai në shtëpi më tha a dëshiron me e mësua zanatin dhe unë i thashë po, nëna ime atëherë në kushte më të vështira mundohej me kërrabëza të na i bëj ca xhemperë. Kam filluar në vitin 1978, me 20 qershor ka përfunduar gjysëmvjetori i parë, unë kam shkuar në atë kohë për ta mësuar zanatin.’’
Edhe pse kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike, rrobaqepësi nga Prishtina tregon se e pati të pamundur të shkëputej nga profesioni i tanishëm.
Që nga hapja e dyqanit të tij personal, ai tregon se asnjëherë nuk e ka mbyllur atë duke punuar me orë të zgjatura e me shumë punë.
Pavarësisht se ushtron një profesion që njihet si punë e kryer nga gratë, ai thotë se pak prej tyre e kanë ushtruar këtë veprimtari kur ai nisi të merrej me të.
‘’Pas luftës, krizë e madhe, për me u kyç të gjitha erdhën në Prishtinë edhe i hapën lokalet e tyre. Gjithmonë burrat kanë punuar si rrobaqepës në Prishtinë. Kemi pasur rrobaqepës shumë në emër, tash rrobaqepësia është në zhdukje po mendoj prej neve që kemi mësuar me vite për këtë punë. Tash me i numërua krejt i ki pesë ose dhjetë’’.
Ndonëse vetë lindi në një familje të tillë, zejtari thotë se profesionin e tij nuk e ka trashëguar tek fëmijët e tij, ndonëse ata i ndihmojnë kohë pas kohe.
‘’Tash, gjitha lokalet në Prishtinë që punojnë, e kanë angazhuar nga një rrobaqepës që din të shkurtojnë pantallona. Tash komplet me qep tesha është problem, shumë rrallë qep dikush se është ma lirë me ble sesa me ble material e të tjera. Ma herët ka pasur të interesuar për ta mësuar këtë zeje, pas luftës nuk vjen askush më, gjenerata e fundit është djali im, i cili edhe ka përfunduar studimet e edhe ka punuar me mu. Ai kur ka kohë të lirë më ndihmon, kur ka punë ma tepër këtu në lokal.’’
Me gjithë problemet për të ushtruar zejen e tij, ai edhe më tutje punon me shumë dashuri e përkushtim.
Ndërkohë që në ambientet e punëtorisë së tij zë vend edhe makina e parë në të cilën ai mori hapat fillestarë.
Këtë thotë se e ruan me nostalgji derisa kujton punën që kreu me të.
‘’Kjo është makina SINGER, 103-she i kanë thënë edhe është makinë me kambë, ma herët kishte vetëm me kambë, ka pasur edhe me rrymë por ne nuk kishim mundësi me i ble sepse kanë kushtuar shumë shtrenjtë makinat e tilla’’.
Me klientët që i vijnë në derë, thotë se, më shumë merret me ngushtime e prerje që ata kërkojnë, edhe pse më herët ka stilizuar veshje të ndryshme edhe vetë.
Gjatë vitit 2020, Krasniqi përpos qepjes e meremetimeve të ndryshme në rroba ka qepur edhe maska për t’u dalë në ndihmë shumë qytetarëve.
Krasniqi mbetet me shpresë që arti, të cilin ai thotë se e përçon përmes gjilpërës, të vazhdohet edhe më tutje nga gjeneratat e reja, që të mos mbetet profesion i të shkuarës.