Ushqimi erdhi për këto 12 lopë qumështore.
E kjo është edhe ferma e Gani Dobratiqit në fshatin Lebanë.
Prodhimtarinë e qumështit ai e zhvillon në këtë fermë, prej së cilës edhe mbahet financiarisht.
E meqë burim të të ardhurave ka blegtorinë e bujqësinë , fermeri thotë se ky vit ka qenë problematik për shkak të rritjes së çmimeve.
Fermeri qumështin e shet në kompani, e thotë se çmimi nuk ka ndryshuar akoma.
Megjithatë, ai kërkon të rritet edhe çmimi i qumështit vendor, sepse fermerët po dalin të dëmtuar.
Një rëndësi të madhe Dobratiqi i kushton edhe përdorimit të produkteve vendore. Ai thotë se kjo do të ishte edhe një ndihmesë për fermerët.
Rritja e çmimeve është ngjarje globale, sipas Berat Rukiqit, kryetar i Odës Ekonomike.
Rukiqi thotë se këto ndryshime në çmime do të vazhdojnë e edhe Kosova nuk do të shpëtojë.
Sipas Rukiqit, produktet vendore janë më të lira krahasuar me ato që importohen, për shkak të kostove që nuk paguhen, e një anë pozitive e ngjarjes do të ishte rritja e përdorimit të prodhimeve vendore.
E nga ana tjetër, janë konsumatorët ata që po ankohen.
Fatbardha Restelica nga Instituti për Politika Zhvillimore thotë se në kuadër të rritjes së çmimeve janë edhe prodhuesit vendorë ata që duhet të verifikojnë kualitetin e prodhimtarisë së tyre që të ketë edhe shitje më të madhe.
Restelica konsideron se në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova tani, rritja e çmimeve nuk ndikon fare mirë në buxhetin e qytetarëve.
Rritja e çmimit tash për tash nuk është në plan për produktet e fermerëve vendorë, përkundrazi Raza Demolli, fermere në tregun mobil, thotë se ata i kanë zbritur çmimet.
Fermerët e tregjeve në Kosovë merren me prodhimtarinë e tyre që nga mbjellja deri tek konservimi e shitja.
Edhe Nafije Ajeti thotë se interesimi për produktet vendore është gjithherë tek ata që ia dinë vlerën.
Sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, produktet e konsumit kanë shënuar rritje duke filluar që nga buka dhe drithërat me 1.5%, mishi me 1.9%, qumështi e produktet e djathit me 7.7, e kështu me radhë.